LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, komisionet do të vendosin nëse do të vazhdohet me tekstet shkollore të “Cambridge”

Maqedoni, komisionet do të vendosin nëse do të vazhdohet me tekstet shkollore të “Cambridge”

Janë duke u pëgatitur plane mësimore, ndërsa njëkohësisht përgatitet edhe ndryshimi i Ligjit për tekstet shkollore. Në pajtim me ndryshimin që planifikojmë, do të ketë mundësi të shpallet konkurs për botimin e librit në pajtim me programin mësimor ekzistues. Qëllimi është që të mos kufizohemi prej nga do të jenë tekstet shkollore. Në konkurs do të mund të konkurrojnv shtëpi botuese me tekste të adaptuara nga “Cambridge”, të cilat përshtaten me programin, ose botues me tekste nga autorë vendas, informoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Cilësinë e teksteve shkollore do ta vlerësojnë komisione të recenzionit, të cilat formohen nga Komisioni kombëtar për tekste shkollore. Komisionet do të përbëhen nga ekspertë, të cilët duhet të tregojnë se cili libër konkurrues ka cilësinë më të mirë, gjegjësisht cili prej tyre do të pranohet dhe do të lëshohet në përdorim.

“Nuk themi se librat duhet të jenë vetëm nga programi i “Cambridge”, do të ketë mundësi që komisionet e ekspertëve të vlerësojnë se cila është zgjidhja më e mirë, ai tekst që vlerësohet si më i miri, ai do të pranohet”, tha Deskoska.


Me ndryshimet në Ligjin për arsim fillor dhe të mesëm, MASH planifikon zvogëlimin e numrit të nxënësve në paralelet shkollore, duke thënë se qëllimi i këtij ndryshimi është rritja e efikasitetit të programeve mësimore./Telegrafi/