LAJMI I FUNDIT:

Gjirokastra në rrezik

Gjirokastra në rrezik

Në hapje të programit Viti i Trashëgimisë Kulturore Evropiane, “Europa Nostra”, organizatë lider për trashëgiminë në Evropë dhe Instituti i Bankës Evropiane për Investime, do të shpallin shtatë vendndodhjet më të rrezikuara për vitin 2018. Gjirokastra është mes 12 kandidaturave prej shumë vendeve të ndryshme të kontinentit, si Austria, Belgjika, Bullgaria, Spanja, Mbretëria e Bashkuar etj.

“Propozimet u paraqitën nga organizatat e shoqërisë civile apo institucione publike, të cilat janë pjesë e rrjetit të anëtarëve të organizatës ‘Europa Nostra’. Propozimi për përfshirjen e qendrës historike të Gjirokastrës është paraqitur nga Fondacioni ‘Gjirokastra’”, thuhet në njoftimin e fondacionit “Gjirokastra”.

Në procesin e përzgjedhjes së vendndodhjeve merren në konsideratë vlerat e tyre kulturore dhe trashëgimore, si edhe rreziku i menjëhershëm që u kërcënohet. Angazhimi i komuniteteve lokale dhe përfshirja e palëve publike e private për shpëtimin e vendndodhjeve konsiderohen gjithashtu vendimtare. Një tjetër kriter kryesor në procesin e përzgjedhjes, është potenciali i këtyre vendndodhjeve për të vepruar si katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm socialo-ekonomik.


“Europa Nostra” është federata pan-evropiane që përfaqëson zërin e trashëgimisë në Evropë me shtrirje në më shumë se 40 vende të kontinentit. Ajo përfaqëson shoqërinë civile të angazhuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. /Sot/