LAJMI I FUNDIT:

Kosova humb 15 milionë euro në vit nga “Autostrada Energjetike”

Kosova humb 15 milionë euro në vit nga “Autostrada Energjetike”

E ashtuquajtura autostrada energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë ka më shumë së një vit që është jofunksionale. E inauguruar në qershor të vitit 2016 përmes kësaj linjë energjetike ende nuk ka kaluar asnjë megavat me energji elektrike.

Për shkak të bllokadës, humbjet e Kosovës në vitin e parë vlerësohet të jenë 15 milionë euro, pasi ndërtimi i saj është bërë përmes kredive. Ndërkaq, rrjeti që është i gatshëm që një vit e gjysmë nuk po shfrytëzohet për ti arsyetuar investimet.

Zyrtarët institucional thonë së linja është bllokuar për shkak të Serbisë, e cila deri më tani nuk ka lejuar anëtarësimin e Kosovës në instancat ndërkombëtare të energjisë.


Për të bërë tregti me energji elektrike jashtë kufijve Kosova duhet fillimisht të anëtarësohet në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO).

“Për shkak të pengesës se Serbisë, si rezultat i këtyre pengesave linja 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri, edhe pse është përfunduar me kohë, nuk po mund të shfrytëzohet”, thuhet në një raport të brendshëm të KOSTT-it, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala.

Gani Jashari, anëtar i Bordit në KOSTT, thotë se si institucion kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për tu anëtarësuar, por rezultatet kanë qenë negative.

Kjo po e dëmton Kosovën përveç financiarisht edhe në tkurrjen e rrjetit transmetues.

Gjatë vitit 2016, në rrjetin transmetues të Kosovës, janë transmetuar 8200 gigavat orë energji elektrike apo 3.8 për qind më pak se në vitin 2015, për shkak të transitit të energjisë elektrike, e cila ka qenë nëpër rrjetin e transmisionit të Kosovës.

“Rrjetit te energjisë së Kosovës ju shtua një linjë e re prej 91 km, e nivelit 400 Kilovat e cila po të shprehet ne linjën e përgjithshme të energjisë së Kosovës është afër 48% në rritje, këtu i referohemi linjës ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri, e cila u inaugurua ne qershor të vitit 2016 në Tiranë, por për shkak të mosimplementimit të marrëveshjes për kyçje në ENTSO-E dhe arsyet e njohura, kjo linjë ende nuk është komercializuar nga KOSTT-i”, citohet të këtë thënë Jashari, në mbledhjen e fundit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Ndërsa humbjet milionëshe nga kjo bllokadë i ka bërë të ditura anëtari i këtij komisioni, Dardan Sejdiu.

Sipas tij, humbjet vjetore të përbashkëta të mosfunksionalizimit të kësaj linje sipas një përllogaritje janë rreth 15 milionë euro në vit. “Pra ne paguajmë kredi pa shfrytëzuar të mirat për të cilat kemi marr kredi”, ka thënë ai.

Këtë problem me Serbinë nuk po arrin ta zgjidhin as nga Sekretariati i Komunitetit për Energji, organizatë ndërkombëtare e cila bashkon Bashkimin Evropian dhe fqinjët e vet, për të krijuar një treg të integruar evropian të energjisë.

Janez Kopaç, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit për Energji, në një vizitë ne Kosovë, tha se Kosova nuk mund të jetë anëtar me të drejta të plota pas bllokadës nga ana e Serbisë.

“KOSTT-i nuk po mundet të jetë anëtar me të drejta të plota në ENTSO. Duhet të bëni më shumë për energjinë e ripërtëritshme”, ka thënë Kopaç. /Gazeta Fjala/Telegrafi/