LAJMI I FUNDIT:

Gjysmëvjetori po përfundon, shumë nxënës në Maqedoni ende pa libra

Gjysmëvjetori po përfundon, shumë nxënës në Maqedoni ende pa libra

Gati po përfundon gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor, ndërsa nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme ende kanë mungesë të disa librave. Arsimtarët janë detyruar që gjatë këtyre muajve të diktojnë ndërsa nxënësit të shkruajnë.

“Në klasën time ka vetëm gjashtë libra, një numër i nxënësve kanë bërë vetëm kopje ose çdo orë duhet të diktojmë sa më shumë ku për nxënësit është monoton ne në vend të punojmë me tekste të kemi më të gjatë për punë, analiza e pyetje”, tha Lumnije Lama, arsimtare e gjuhës maqedonase.

Nga Ministria e Arsimit, ngjashëm si herët e kaluara thonë se ky problem është trashëguar nga qeveria e kaluar.


“Disa libra nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe, problem të cilin e kemi trashëguar. Gjithashtu ka edhe libra të cilët fare nuk janë. Ka pasur thirrje publike për libra për shkollat profesionale për shumë libra, por megjithatë asnjë autor nuk u paraqit. Mungojnë libra edhe në gjuhën shqipe edhe maqedonase për shkak se libra të tillë nuk janë shkruar fare”, tha Renata Deskoska, Ministre e Arsimit.

Pos mungesës së librave nxënësit vazhdojnë të mësojnë edhe me tekste të gabuara, që shtrembërojnë fakte historike, sidomos në adresë të kombit shqiptar.

“Kemi komisione që janë formuar për ndryshime të ligjit për arsim fillor, të mesëm dhe të lart dhe komision që duhet ti ndjek ndryshimet rreth integrimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, gjithashtu ka komision që punon në ndryshimin e planeve mësimore që për momentin kanë të bëjnë me planin mësimor nga klasa e parë. Jemi në pritje të rezultateve të para, për ti par propozimet e tyre i cili do të jetë në debat publik ku do të jenë të përfshirë ekspert universitetesh por edhe arsimtar të shkollave fillore dhe të mesme”, shtoi Deskoska.

Pos gabimeve historiografike që po i hasin mësimdhënësit në librin e historisë dhe gjeografisë, të pashmangshëm janë gabimet edhe në librin e kulturës qytetare. Ndërkaq, në tekstin e lëndës së muzikës, nxënësit shqiptarë përveç se mësojnë këngë të përkthyera nga gjuha maqedonase dhe kompozitorë të huaj, motivet a atyre këngëve flasin për komunizmin jugosllav të Titos, në të cilat heronjtë kryesorë janë partizanët.