LAJMI I FUNDIT:

20 komuna në Maqedoni me llogari të bllokuara

20 komuna në Maqedoni me llogari të bllokuara

Janë bllokuar llogaritë e 20 komunave në Maqedoni nga gjithsej 80. Pjesa më e madhe e këtyre komunave janë në rajonin e lindjes, ngase llogaritë janë të zbrazura kurse borxhet janë shumë të mëdha.

Në këtë liste hyjnë komunat: Zrnovci, Pllasnica, Resnja, Dellçeva, Ohri, Struga, Pehçevë, Kumanovë, Gradsko, Brvenica, Tetovë, Rankovce, Sopishte, Berovë, Karbinci, Nagoriçan i Vjetër, Negotinë, Çashkë, Dollnen dhe Vrapçisht.

Shembull, borxhi i komunës së Kumanovës ishte 67 milion denarë, kurse tani ngelet të paguhet vetëm kamata prej 12,1 milion denarë. Komuna e Dellçevës është në borxh 4 milion euro, kurse buxheti bazë, pa bllok dotacione në këtë komunë kap shumën prej 1,3 milion euro. Në komunën e Çashkës llogaria është e bllokuar për shkak të borxhit prej 15 milionë denarë, Zrnovci ka borxh 8 milionë denarë, Pehçevë 81 milionë denarë, pa kamata. Komuna e Berovës është me llogari të bllokuar për shkak të borxhit prej 31 milionë denarë pa kamatë.


Llogaria e qytetit të Shkupit nuk është e bllokuar, por borxhi i saj kap vlerën e 33 milion euro, kurse në Manastir 12 milion euro.

Në situatë të këtillë, komunave u lejohet të marrin para për rroga dhe pagat e të punësuarve dhe vetëm aq. Gjithçka tjetër që hyn në llogarinë e komunës, shkon për pagesë të borxhit.

Të gjitha këto komuna tani kërkojnë mënyrën për të funksionuar në mënyrë normale, ose prap shpresojnë në ndonjë ndihme nga pushteti qendror.

Në pjesën më të madh të komunave borxhi është i vjetër, edhe atë rreth dhjetë vite, kamatat janë rritur, dhe borxhet e reja nuk janë ndalur./Telegrafi/