LAJMI I FUNDIT:

Kryemadhi: Të shpëtojmë Shqipërinë

Kryemadhi: Të shpëtojmë Shqipërinë

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi këtë të dielë Konventën Kombëtare të saj, ku do të diskutohet dhe vendoset për aksionin e kësaj force politike në opozitë.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se kjo Konventë është thërritur në një moment delikat për vendin.

“Jemi mbledhur në një moment delikat të vendit për një mision që shkon përtej dimensionit dhe aksionit politik të një partie, mision për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ajo.


“Nuk kemi më kohë për të humbur me retorikën politike që bie në vesh të shurdhër dhe jemi gati. Ne duhet të thyejmë heshtjen dhe apatinë në rrugët e vendit ku ligjin e bëjnë bandat”, shtoi kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi thotë se opozita do të protestojë.

“Do të jemi në rrugë dhe sheshe për një kontratë të re me qytetarët. LSI do të jetë në krye të çdo marshimi kundër këtij narkoshteti. Koha është tani për të filluar së bashku marshimin e fitores.  dhe krijimin e një qeverie antimafia që rikthen stabilitetin dhe dinjitetin”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha në fjalën e tij se “dëmi që po i bën Edi Rama vendit është i madh”.

“Dëmi që ky njeri po i bën shoqërisë dhe këtij vendi është i madh dhe i pashëruar. Sa më shumë Rama të qëndrojë në pushtet, aq më e vështirë do të jetë që ta sjellim Shqipërinë në rrugën që duam”, deklaroi Vasili.

Sipas Vasilit, largimi i Ramës nuk do të vonojë.

“Do ta rrëzojmë shumë shpejt, në mënyrë shumë të shpejtë, çështje javësh këtë Kryeministër të degraduar”, u shpreh ai.