LAJMI I FUNDIT:

Austriakët i dhurojnë UPZ-së 4 mijë e 600 libra

Austriakët i dhurojnë UPZ-së 4 mijë e 600 libra

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, të mërkurën ka pranuar një donacion prej 4 mijë e 600 librave prej profesorëve, universiteteve dhe bibliotekave të Austrisë.

Dorëzimin e donacionit të librave e ka bërë ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler dhe kontingjenti i KFOR austriak, të cilët kanë bërë bartjen e librave.


Me këtë rast në emër të UPZ-së dhe rektorit Vataj, Prorektori Kadri Kryeziu, i dorëzoi një mirënjohje ambasadorit austriak, në shenjë falënderime për këtë donacion të çmuar për UPZ-në.

Ky është një projekt nga Martina Drescher, mësimdhënëse në UPZ nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Edukim dhe Hulumtime, Kimete Canaj, shefe e degës së gjuhës gjermane në Fakultetin e Filologjisë dhe Izer Maksuti, mësimdhënës në degën e gjuhës gjermane.

Profesor Canaj dhe profesor Maksuti janë kuadro të universitete prestigjioze austriake, profesorët e të cilëve në Austri kanë kontribuar në grumbullimin e librave nëpër universitete austriake për UPZ-në.

Sipas një komunikate të UPZ-së, librat vijnë nga institucionet ose personat në vijim: Arnulf Knafl (Shefi i Programit të Korrigjimit) – OeAD – Shërbimi i Shkëmbimit Austriak, Margit Kreiter – Biblioteka dhe arkivimi i bibliotekës kryesore të Vjenës, Karin Lach – Drejtor i Departamentit të Studimeve Angleze dhe Amerikane në Universitetin e Vjenës, Hans-Christian Luschützky – Instituti për Gjuhësi Universiteti i Vjenës, Stefan Alker-Windbichler – Drejtor i Departamentit të Studimeve Gjermane, Studime Holandeze, Studime Skandinave, Universiteti i Vjenës.