LAJMI I FUNDIT:

Xhafer Gashi rikandidon për të kryetar të Obiliqit

Xhafer Gashi rikandidon për të kryetar të Obiliqit

Punën e tij të cilën thotë se e ka bërë me shumë vullnet dhe përkushtim maksimal, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, synon ta bëjë edhe gjatë një mandati tjetër.

Gashi, që vjen nga AAK-ja, ka thënë se është propozuar nga niveli qendror, ndonëse ai nuk e ka pasur mendjen tek rikandidimi.

“Jemi në mesin e komunave të para për realizimin e premtimeve dhe projekteve cilësore. Tanimë jam i propozuar nga niveli qendror. Është angazhim, është sakrificë e madhe dhe sipas të gjitha gjasave do të jem sepse edhe një pengesë që e kam pasur, mund të them mungesa në familje, kanë arritur që edhe bashkëshorten dhe familjen e gjerë ta bindin që të jem pjesë e projektit dhe po, do të jem kandidat”, ka thënë Gashi, në një intervistë për KosovaPress


Gashi ka thënë se gjatë punës së tij si kryetar i Komunës së Obiliqit kanë realizuar një mori premtimesh, duke përfshirë edhe ngritjen e numrit të bursave për studentë, përmirësimin e ndriçimit, shtimin e hapësirave gjelbëruese, si dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore, ku deri në fund të vitit arrijnë të realizojnë 70 rrugë.

Sipas tij, në Komunën e Obiliqit që nga paslufta e deri në vitin 2013-të, investimet kapitale kanë munguar shumë, porse gjendja ka ndryshuar prej kur ai ka marrë mandatin e të parit të Obiliqit. Përderisa thekson se ende ka punë për t’u bërë, ndërsa konsideron se sfida më e madhe për komunën të cilën aktualisht e drejton, mbetet problemi me KEK-un, përkatësisht implementimi i ligjit.

I pyetur rreth projektit të madh “Kosova e Re”, Gashi është shprehur se Komuna e Obiliqit është konsultuar shumë vonë për këtë, ndërsa thotë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë nëse arrijnë të kenë prioritet çështjen e punësimit.

Sa i përket problemeve që janë paraqitur në zonën me interes të veçantë, Gashi vlerëson se procesi i shpronësimit në atë pjesë ka qenë i tej zgjatur, ndërsa shprehet se janë institucionet e nivelit qendror që duhet të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që Kosova të mos futet në kolaps energjetik.

Sipas kryetarit aktual të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashit, ndotja në komunën që ai e drejton ka filluar të zvogëlohet, por kjo nuk ka rezultuar me zvogëlim të numrit të të prekurve nga kanceri. E për këtë ai thotë se është e tmerrshme që nuk kanë fonde të mjaftueshme për të ndihmuar rastet e prekura e për këtë shpeshherë i përcjellin në Ministri të Shëndetësisë.

Ai u shpreh se 20 për qind nga tantiema për eksploatimit të thëngjillit parashihen t’i kthehen Komunës, në mënyrë që të mund të krijohet një fond që do ta përkrahë shëndetësinë.

Krejt në fund, Gashi është shprehur se gjatë mandatit të tij, shumë institucione të pavarura kanë dhënë vlerësime pozitive për punën e Komunës së Obiliqit duke e nxjerrë atë të dytën sa i përket realizimit të projekteve.

Ai është shprehur se falë përkushtimit në punë kanë arritur që buxhetin prej 5 milion e 91 mijë euro për investime kapitale ta rrisin në 6 milion e 900 mijë euro, përmes bashkëfinancimeve të ndryshme, nga ministri të ndryshme dhe nga organizata joqeveritare./KP/Telegrafi/