Policia gjermane u ndesh sot me demonstrues të krahut të majtë, që po protestojnë në Hamburg.
Protestuesit e ekstremit të majtë ndaj policisë hodhën shishe, fishekzjarrë dhe objekte të tjera, të cilëve policia iu kundërpërgjigj me topa të ujit dhe gaz lotsjellës, raporton AFP.
Protesta përkon me ardhjen e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump në Gjermani, për të marrë pjesë në takimin e G20-tës që do të zhvillohet këtë fundjavë në Hamburg.
Policia gjermane kishte paralajmëruar se 8000 të pranishmit në protestën e quajtur “Welcome to Hell” (Mirëserdhët në ferr), ishin të gatshëm të përdornin dhunën, ndërsa zyrtari më i lartë i Sigurisë në Hamburg, tha se 1000 prej tyre ishin ekstremistë të majtë nga vendet si Italia dhe vendet skandinave.
Organizatori i protestës, Andreas Blechschmidt tha se autoritetet gjermane dhe Shërbimi i Brendshëm i Inteligjencës, kanë kryer një fushatë masive në prag të ngjarjes së sotshme për të diskredituar pjesëmarrësit dhe për të penguar personat që të bashkohen me të.