LAJMI I FUNDIT:

Gallup: 56 për qind e banorëve duan të ikin nga Shqipëria! (Video)

Gallup: 56 për qind e banorëve duan të ikin nga Shqipëria! (Video)

Për organizatën Gallup, 14 për qind e popullsise globale në moshë madhore dëshiron të emigrojë. E përkthyer në vlerë, kjo do të thotë se aktualisht mbi 710 milionë persona në gjithë botën duan të largohen nga vendi i tyre.

Përfundimet kanë dalë nga një sondazh global, më i madhi i realizuar ndonjëherë, përmes të cilit Gallup ka pyetur direkt mbi 586 mijë veta në 156 vende të ndryshme të botës.


Sipas tij, shtetasit më dëshirën më të lartë për të emigruar nga vendi i tyre janë qytetarët e Sierra Leones, një vend i mbërthyer nga luftërat civile dhe konfliktet e armatosura.

Sipas Gallupit, 62 për qind e popullsisë së Sierra Leones do të donte të largohej nga vendi. E dyta renditet Shqipëria, me përqindje të barabartë me Haitin.

Më shumë se gjysma e shqiptarëve, përkatësisht 56 për qind e popullsisë duan të largohen nga Shqipëria. Pas Shqipërisë, vijnë dy vende të tjera afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria rezulton në vendin e nëntë.

Gjetjet e sondazhit i përkasin periudhës 2013-2016. Përveçse në tre vendet me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë që do të emigrojë, Shqipëria është edhe ajo që ka shënuar rritjen më të madhe të këtij treguesi vitet e fundit.

Sipas Gallupit, në periudhën 2010-2012 pjesa e shqiptarëve që donin të emigronin ishte vetëm 36 për qind. Ndërsa në tri vitet pasardhëse pjesa e popullsisë që do të largohet nga Shqipëria gati është dyfishuar, duke arritur në 56 për qind. /Top Channel/