LAJMI I FUNDIT:

Save the Children: Fëmijëria i grabitet çdo të katërtit fëmijë

Save the Children: Fëmijëria i grabitet çdo të katërtit fëmijë

Raporti i ri nga Save the Children zbulon se çdo i katërti fëmijë në botë është i privuar nga fëmijëria.

Raporti përfshin një indeks global, sipas te cilit radhiten vendet ku fëmijëria është më së shumti dhe më së paku e kërcënuar.

Lansuar me qëllim që të përkojë me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, raporti Fëmijëri të Grabitura ka gjetur se të paktën 700 milionë fëmijë në mbarë botën – dhe ndoshta qindra miliona më shumë – kanë pasur premtimin e një fëmijërie të përmbushur që është thyer para kohe.


Faktorët që ndikojnë janë dhuna ekstreme dhe konflikti që shpesh i detyrojnë familjet të braktisin shtëpitë e tyre, martesat dhe shtatzënitë në moshë të hershme, puna e fëmijëve, shëndeti i dobët dhe pamundësia e vijimit të shkollës.

Indeksi, i cili i rendit 172 shtete të botës, tregon se fëmijëria në vendet e Afrikës Perëndimore dhe Qendrore është më e kërcënuara, me Nigerinë të renditur në pozitën më të ulët. Ndërsa vendet ku fëmijëria është më së paku e kërcënuar – Norvegjia, Sllovenia, Finlanda, Holanda dhe Suedia – të gjitha gjenden në Evropë.

“Fëmijëve të lindur në situatë lufte, apo të shënjestruar nga grupe të dhunshme, fëmijëve që vuajnë apo vdesin nga sëmundjet dhe fëmijëve që përjetojnë diskriminim te egër, u grabitet çdo gjë që i bën ata fëmijë. Është e papranueshme që në 2017, miliona fëmijë në botë akoma nuk e gëzojnë të drejtën të jenë të sigurtë, të mësojnë dhe të luajnë. Ne duhet dhe ne mund të bëjmë më shumë”, thotë Helle Thorning-Schmidt, Drejtore Ekzekutive e Save the Children International.

Save the Children, për të parën herë hulumtoi edhe të dhënat që raportojnë mbi vrasjen e fëmijëve në mbarë botën, prej nga del se çdo ditë vriten më shumë se 200 djem dhe vajza në mbarë botën.

Raporti gjithashtu tregon se:

  • Çdo ditë, më shumë se 16.000 fëmijë vdesin para ditëlindjes se tyre të pestë, shumica dërrmuese për shkaqe të parandalueshme.
  • Rreth 1/4 e të gjithë fëmijëve nën moshën 5-vjeç (156 milionë) kanë rritje fizike dhe zhvillim mendor të dobët si rezultat i kequshqyerjes
  • 1 në 6 fëmijë të moshës shkollore në mbarë botën është aktualisht jashtë sistemit shkollor
  • 1 në 80 fëmijë për shkak të konfliktit detyrohet të largohet nga shtëpia
  • 168 milionë fëmijë në botë punojnë – 85 milionë në punë të rrezikshme – numër i cili është shumë më i madh se të gjithë fëmijët që jetojnë në Evropë (138 milionë)
  • Çdo 7 sekonda martohet një vajzë nën moshën 15 vjeç
  • Çdo 2 sekonda, një vajzë adoleshente bëhet nënë

“Në vitin 2015, bota bëri një premtim se deri në vitin 2030 të gjithë fëmijët do të ishin në shkollë, të mbrojtur dhe të shëndetshëm, pavarësisht se kush janë dhe ku jetojnë. Ky është një synim ambicioz, megjithatë i arritshëm nëse qeveritë investojnë tek çdo fëmijë për të garantuar që ata të gëzojnë një fëmijëri të plotë ashtu siç e meritojnë”, shton Thorning-Schmidt.

Raporti “Fëmijëri të Grabitura” përdorë të dhëna nga një sërë burimesh të besueshme në mënyrë që të sigurojë që të dhënat të jenë të krahasueshme dhe të përputhshme me indikatorët ndërkombëtarë të monitorimit.

Burimet, pothuajse ekskluzivisht, janë shfrytëzuar nga agjencitë e OKB-së, në të cilat Kosova nuk është e listuar.

Të dhënat për Kosovën janë të pjesshme dhe nuk ofrojnë të dhëna për numrin e fëmijëve viktima të dhunës ekstreme, si personat e zhvendosur me dhunë nga konflikti dhe numrin e fëmijëve që vriten. Si pasojë, Kosova nuk është përfshirë në renditje zyrtare të këtij raporti.

Pavarësisht kësaj, Save the Children ka përdorur rezultatet e raportit të fundit të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë 2013-2014, për të përfshirë Kosovën në një renditje jozyrtare, së bashku me shtetet tjera për te cilat po ashtu mungojnë të dhëna të besueshme për situatën e fëmijëve.

Në këtë renditje, Kosova në krahasim me vendet në Ballkan tregon se ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë të fëmijëve nën moshën 5 vjeç, me 15 vdekje për 1000 lindje të gjalla, radhitet në mes të listës për nga shkalla e lindshmërisë së fëmijëve nga vajza adoleshente me 15 në 1000, dhe ka shkallën më të ulët në ngecje në rritje të fëmijëve me 4.3%.

Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë  drejt mbledhjes së të dhënave të sakta dhe të bëjë përpjekje që agjencitë e ndryshme të OKB-së të fillojnë të raportojnë të dhëna edhe për Kosovën.

Në kuadër te fushatës së saj globale #ÇdoFëmijënëNevojë Save the Children u bën thirrje qeverive të marrin masa që asnjë fëmijë të mos vdesë nga shkaqe të parandalueshme ose të shërueshme, apo të jetë subjekt i një dhune ekstreme; të mos u grabitet e ardhmja si rezultat i kequshqyerjes, martesës së hershme ose të detyruar, shtatzënisë së hershme ose punës së detyruar dhe mos t’u ndalohet qasja në arsim cilësor.

Në Kosovë, si pjesë e fushatës globale, Save the Children punon drejt sigurimit të qasjes në shërbime cilësore dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Për të siguruar të ardhme të sigurt për të gjithë fëmijët pa dallim, Save the Children ka iniciuar një peticion global që u bënë thirrje qeverive për të rritur investimet në fëmijë. /KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori