LAJMI I FUNDIT:

Prindërit e Agim Dakës: Me Cukun kemi mbyllur hakmarrjen (Video)

Prindërit e Agim Dakës: Me Cukun kemi mbyllur hakmarrjen (Video)

Policia e Tiranës ka marrë në mbrojtje familjen e ish-drejtorit të lartë të policisë, Artan Cuku, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e së shtunës.

Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, kjo është një masë paraprake ndërkohë që për specialistët e seksionit të krimeve ndaj jetës, vrasja e 42-vjeçarit mbart disa enigma të cilat vështirësojnë zbardhjen e saj.

Burime nga grupi hetimor, thonë për Top Channel se nuk përjashtohet mundësia që një nga armët e përdorura në krim të ketë qenë e ish-policit, ndërsa nga duart dhe thonjtë e 42-vjeçarit janë marrë edhe mostra, të cilat mund të shërbejnë për analiza ADN-je.


Grupi hetimor ka dyshime edhe për një prishje të mundshme të skenës së krimit, pasi drejtimi i qitjes së plumbave dhe dinamika e ndërtuar, nuk përputhet me fiksimin final te pozicionit të viktimës.

Nga ana tjetër dy vëllezërit e Agim Dakes, mbi të cilët u dyshua fillimisht për shkak të ngjarjes së vitit 2005 janë lënë të lirë pas deponimit të dhënë. Edhe familjarët  e tyre thonë se ajo histori është mbyllur me kohë, transmeton TCH.

“Ne i kemi mbyllur prej kohësh këto hesape. Kanë radhur sipas zakoneve që i kemi pasur. Ne jemi pajtuar me ta dhe nuk kami asnjë gjë në atë drejtim”, shprehet Prelë Daka.

“Po bëhen 12 vjet dhe ne jemi pajtuar me atë familje. Ne nuk kemi asgjë me ata dhe besoj se edhe ata nuk kanë asgjë me ne”, tha Bardhë Daka.

E vetmja shpresë për policinë mbetet imazhi i fiksuar nga një kamerë sigurie ku pranë pallatit kalon një person me i maskuar me kapele, ndërkohë që pista kryesore mbetet ajo për shkak të detyrës në kohën kur drejtonte policinë e Vlorës, por edhe si zëvendësdrejtor në Tiranë.