LAJMI I FUNDIT:

Rruga që po i ngufat banorët e fshatrave të Vushtrrisë, më në fund pritet të rregullohet (Foto)

Rruga që po i ngufat banorët e fshatrave të Vushtrrisë, më në fund pritet të rregullohet (Foto)

Rruga Regjionale “R220” Bukosh – Gllovotin e cila lidhë shumë fshatra të Komunës së Vushtrrisë me qytetin është e dëmtuar shumë dhe banorëve po u krijon vështirësi të mëdha gjatë shfrytëzimit të saj.

Por gjendjes së tmerrshme të saj do t’i vije fundi, pasi punët për riasfaltimin saj do të fillojnë së shpejti.


Kjo rrugë e gjatë prej 18 kilometrave frekuentohet shumë ndërsa në është nuk është investuar as një herë me përjashtim të harrimeve të herëpashershme.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, kanë thënë se rruga Regjionale “R220” Bukosh-Prelluzhë është në listën e projekteve të kësaj ministrie për periudhën dy vjeçare.

“Rruga Regjionale R (220) ‘Bukosh-Prilluzhë’, është e paraparë në listën e projekteve (2017-2019). Për vitin 2017 janë të parapara 100.000 euro, për vitin 2018 janë të parapara 500.000 euro dhe për vitin 2019 janë të parapara 200.000 euro”, kanë treguar në përgjigjet e dërguara për Telegrafin nga Ministria e Infrastrukturës.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Vushtrria, Xhevahire Izmaku, ka thënë për Telegrafin se rruga e cila lidhë fshatrat e Çyçavicës me qytetin e Vushtrrisë duhet urgjentisht të shtrohet pasi që është shumë e dëmtuar.

Këtë rrugë sipas saj, e shfrytëzojnë mbi 20 mijë banorë të 20 fshatrave të kësaj ane.

“Rruga Gllovotin – Nevola e gjatë diku rreth 15 kilometra është në gjendje të rëndë, duhet sa më parë që të asfaltohet, pasi që shfrytëzohet prej mbi 20 mijë banorëve. Si deputete e kësaj zone do të jem kundër që kjo rrugë të harrohet. Rruga duhet të ri-asfaltohet pasi që ka interes nacional dhe jo lokal. Për këtë çështje në parim kam marrë mbështetje edhe nga kryetari i PDK-së i cili do të angazhohet edhe personalisht që ky projekt të fillojë”, ka thënë Izmaku.

Sipas saj, në rrugën nga fshati Gllovotin e deri në fshatin Nevolan, nuk është investuar nga viti 1950.

Ndërkaq, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Vushtrrisë, Sami Istrefi, ka thënë asfaltimi i rrugës Gllovotin-Nevolan do të bëhet me financim të Ministrisë së Infrastrukturës pasi ajo është Rrugë Regjionale.

“Projekti do të financohet nga Ministria e Infrastrukturës , punët pritet të fillojnë këtë vit dhe do të përfundojnë për 170 ditë pune brenda periudhës dy vjeçare”, ka treguar Istrefi.

Komuna e Vushtrrisë, sipas tij, për vitin 2017, ka paraparë që në infrastrukturën rrugore të investojë rreth 1.5 milion euro. /Telegrafi/