LAJMI I FUNDIT:

Veseli mbanë ligjëratë para diplomatëve në Itali dhe pritet nga arbëreshët (Foto)

Veseli mbanë ligjëratë para diplomatëve në Itali dhe pritet nga arbëreshët (Foto)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili po qëndron në Itali, ka mbajtur një ligjëratë para diplomatëve të njohur italianë Franco Fratini dhe Ricardo Sesa.

Gjatë ligjëratës, Veseli tha se krijimi i shtetit të Kosovës ka sjell stabilitet në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Kosova vazhdon të mbetet ndër faktorët kryesorë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit. Republika e Kosovës po vazhdon rrugën e saj drejt fuqizimit të shtetësisë dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa në këtë aspekt ne ftojmë bizneset italiane që të jenë më shumë prezente në ekonominë kosovare, e cila ka stabilitet dhe në vazhdimësi po shënon rritje”, tha Veseli.


Pas ligjëratës, kryeparlamentari Veseli ka bashkëbiseduar me diplomatët italianë, të cilët dhanë mbështetje për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe në fuqizimin e diplomacisë kosovare.

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, Veseli është pritur në një takim të veçantë edhe nga arbëreshët e Italisë.

Gjatë kësaj pritjeje, Veseli theksoi se arbëreshët janë panteon i kulturës, traditës dhe mbijetesës shqiptare në Itali.
Arbëreshët performuan disa këngë të tyre tradicionale për nder të takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve mes Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, kryeparlamentari Veseli i ftoi një grup përfaqësues të organizatave kulturore arbëreshe për vizitë në Kosovë. Kryetari Veseli tha se Kuvendi i Kosovës do të investojë që ta ketë një kënd të Kosovës në institucionet kulturore arbëreshe në Romë./Telegrafi/