LAJMI I FUNDIT:

‘Qytetarët më shumë mund t’i shfrytëzojnë veglat TIK për qeverisje të mirë’

‘Qytetarët më shumë mund t’i shfrytëzojnë veglat TIK për qeverisje të mirë’

Në vendet e Ballkanit Perëndimor qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në mënyrë të pamjaftueshme i shfrytëzojnë veglat e teknologjive informatike kompjuterike për qeverisjen e mirë, të zhvilluara nga organizatat e tjera dhe shteti, ndërsa kjo i referohet mungesës së vetëdijes dhe aftësive. Ata janë të dekurajuar që t’i shfrytëzojnë këto vegla për shkak të perceptimit se kontributi i tyre nuk do të bëjë kurrfarë dallimi real. Institucionet publike, nga ana tjetër, në mënyrë të pamjaftueshme e shfrytëzojnë potencialin e TIK që të bëhen më të përgjegjshme dhe t’i përfshijnë qytetarët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Këto janë një pjesë e rezultateve të hulumtimit në kuadër të projektit ACTION SEE Vishegrad – Përgjegjësi, teknologji dhe rrjet i transparencës institucionale në Evropën Juglindore me temë “Rruga drejt qeverisjes së mirë” të prezentuara sot në Shkup. Projekti ka për qëllim të kontribuojë për tejkalimin e këtyre pengesave, ndërsa përmes bashkimit të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të rajonit, si dhe përmes theksimit të praktikave të mira të vendeve të Grupit të Vishegradit prej Ballkanit Perëndimor.

Në hapjen e konferencës ambasadori polak në Maqedoni, Jacek Multanovski theksoi se pa përgjegjësinë e forcave politike dhe përfaqësuesve qeveritarë nuk mund të pritet funksionim i shoqërisë demokratike.


“Çelësi dhe përgjegjësia është në transparencën, përgjegjësinë dhe sjelljen me përgjegjësi të të gjitha subjekteve politike. Me funksionimin e teknologjive të reja në erën e internetit, fejsbukut dhe tuiterit, shpesh jemi dëshmitarë se si teknologjitë e reja janë përgjegjëse për hapjen e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes, lajmeve të rrema dhe se si e diskreditojnë përgjegjësinë politike, por gjithashtu mund të na ndihmojë që të krijohet transparencë dhe politikanët të bëhen përgjegjës”, tha Multanovski.

Ambasadorja gjermane, Christine Althauser theksoi se problemet me të cilat ballafaqohen vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ndalojnë tek kufijtë dhe se është e rëndësishme të kërkohen solucione të cilat mund të shfrytëzohen në nivel ndërkombëtar. Althauser tha se situata në vendet e rajonit është e kristaltë lidhur me shfrytëzimin e veglave TIK nga qytetarët për qeverisje të mirë, njofton AIM.

“Puna e mirë e qeverisë matet me përgjegjësi, stabilitet politik, mungesë të dhunës, qeverisje të së drejtës dhe gjithashtu kontroll të korrupsionit”, tha ajo.

Në konferencën në të cilën marrin pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare prej vendeve të Ballkanit Perëndimor u diskutua për praktikat e mira të rajonit të Grupit të Vishegradit dhe Ballkanit, si dhe për qasjen e të dhënave dhe hulumtimeve për qeverisje të mirë. /Telegrafi/