LAJMI I FUNDIT:

Shehabi: Është rritur numri i projekteve shqiptare të kulturës në Maqedoni

Shehabi: Është rritur numri i projekteve shqiptare të kulturës në Maqedoni

Buxheti i Ministrisë së kulturës për vitin 2017 është 4.1 miliardë denarë dhe në krahasim me vitin 2016, është për 15.43% më i lartë. Kjo u tha sot nga sekretari shtetëror në këtë ministri, Behixhudin Shehabi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai tha se në institucione do të realizohen shumë shfaqje premierë, ndërkaq do të mbështeten edhe shfaqje premierë për operë, balet, vepra operistike dhe baletore për fëmijë.

Janë paraparë edhe vizita të Operës dhe Baletit në qendrat e kulturës në tërë vendin, koncerte simfonike të Filharmonisë së Maqedonisë në Shkup dhe në qytete tjera të vendit.


Sa i përket veprimtarisë botuese për vitin 2017 janë paraparë 426 projekte, prej të cilave 336 janë publikime, 39 revista, 23 projekte elektronike, 28 projekte të shoqatave letrare. Në lidhje me projekte në gjuhën shqipe, ka rritje të tyre në cilësi dhe sasi. Janë mbështetur edhe 115 libra, 4 publikime elektronike dhe 4 revista.

Në Dibër do të mbështetet festivali i kukullave dhe një festival i ri teatror në Gostivar. Gjithsej gjashtë festivale do të ketë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Dibër./Telegrafi/