LAJMI I FUNDIT:

Presidenti serb kishte pranuar se treni ishte përpjekje për kthimin e Kosovës në Serbi (Video)

Presidenti serb kishte pranuar se treni ishte përpjekje për kthimin e Kosovës në Serbi (Video)

Pas kthimit të trenit të Serbisë në Beograd, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, e kishte pranuar se treni ishte përpjekje për “kthimin e Kosovës në Serbi”.

Nikoliq kishte thënë se Serbia nuk dëshiron luftë, por se asaj i është vënë ultimatum – ose do të pranojë gjithçka që kërkojnë Prishtina dhe “sponsorët e saj” ose “ndoshta të shpërthejë lufta”.


Si president i Serbisë, Nikoliq për Insajderin serb kishte thënë se nuk do të pranojë gjithçka që kërkon Prishtina.

“Kur ta shpallni pavarësinë e një territori, mos pritni që shteti të cilit ia keni grabitur territorin se nuk do të bëjë asgjë që të përpiqet që ta kthejë territorin e tij”, thotë Nikoliq, transmeton Telegrafi.

Nikoliq, i cili ende vazhdon t’u referohet shqiptarëve si “shiptari”, term ky fyes për shqiptarët, pyet se ”a duhet ne që për çdo veprim tonin t’i bëjmë parallogaritë se a do të na vrasin shqiptarët?”.

“Kjo është një shenjë e qartë se nëse Thaçi na kërcënon se do të hyjë në Mitrovicë, nëse kreu i qeverisë thotë se kjo është bërë në pajtim me perëndimin, atëherë është e qartë se dikush po i vendos Serbisë ultimatum: ose do të pranoni krejt çfarë kërkohet ose ndoshta do të luftoni. E pra, unë jam ai president i shtetit, i cili nuk do të pranojë gjithçka çfarë kërkojnë ata. Nëse ata do të vrasin serbë, jo vetëm se do ta dërgojmë ushtrinë në Kosovë, por të gjithë do të shkojmë atje. Unë do të shkoj i pari, nuk do të jetë hera e parë për mua”, ka thënë Nikoliq.

Pas seancës së Këshillit për Siguri Kombëtare, Nikoliq ishte shprehur se në ditën kur treni që ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë ishte ndalur në Rashkë, siç thotë ai, “për shkaqe të sigurisë”, sepse ishim në prag të konfliktit.

“Paraqitja e njësiteve të ROSU-s ishte një shenjë se shqiptarët duan luftë”, ka thënë Nikoliq.

Ai kishte shtuar se secila përpjekje e ardhshme e “institucioneve të përkohshme në Prishtinë” për të shkaktuar konflikt, sikurse rasti i trenit, do të përfundojë keq.

“Le të mendojnë për këtë edhe shqiptarët edhe sponsorët e tyre”, kishte thënë ai.

Nikoliq thotë se Serbia do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e saj, sipas së cilës e ka për detyrë që të sigurojë “çdo pëllëmbë të territorit”.

“Për këtë kemi unitet dhe askush nuk devijon nga ky qëndrim… Të gjithë jemi të bashkuar se kemi vepruar mirë në rastin e trenit, por nuk ka bazë që shqiptarët të ngazëllehen”, ka thënë ai.

Ai ka hedhur poshtë pohimet se dërgimi i trenit në relacionin Beograd-Mitrovicë, në të cilin tren ishte porosia se Kosova është Serbi dhe trengjyrëshja serbe, paraqesin provokim nga Beogradi.

Nikoliq kishte thënë se në atë rast si provokim mund të konsiderohet edhe fakti që Prishtina po pohon se Kosova është e pavarur. Në atë rast, Serbia nuk do të duhej të lejonte që asnjë automjet me tabela të Kosovës së pavarur, e as ato që kanë dokumente në të cilat shkruan Republika e Kosovës, të hyjë në Serbi, ka shtuar Nikoliq.

“Ky është një veprim politik dhe nuk mund ta zgjidhim atë çështje duke dërguar njerëz që ta minojnë hekurudhën”, ka thënë Nikoliq.

“Kam përshtypje se kjo është orvatja e fundit e administratës amerikane në largim. BE dhe NATO nuk e kanë dhënë përgjigjen e duhur”, përfundon Nikoliq. /Telegrafi/