LAJMI I FUNDIT:

PDK: Buxheti për 2017-n nuk është analizuar mirë

PDK: Buxheti për 2017-n nuk është analizuar mirë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh zëvendëskryetare e Komisionit për Buxhet e Financa, Safete Hadërgjonaj, ka treguar arsyen e mospjesëmarrjes së saj në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa që ishte paraparë të mbahej të hënën dhe për heqjen e pikës së rendit të ditës të shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

“Qëllimi i shtyrjes së pikës për buxhetin ka pasur për synim të punohet edhe pak në Projektligjin për Buxhet, sepse ka hapësirë për të bërë përmirësime, pra që për disa çështje buxheti të jetë i harmonizuar dhe të jetë në interes të qytetarëve. Ne po insistojmë që përmes këtij buxheti të reflektohet pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Hadërgjonaj në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”.

Ajo ka thënë se buxheti për vitin 2017 nuk është i analizuar mirë dhe, sipas saj, duhet edhe një diskutim ndërmjet partnerëve të koalicionit. “Ka nevojë të bëhen përmirësime në disa sektorë. Në infrastrukturë, në Ministrinë e Kulturës, Shëndetësisë, pothuajse në të gjithë sektorët e ministrive. Është me rëndësi që këtu të bëhen përmirësimet e duhura, në mënyrë që buxheti të jetë i realizueshëm. Po ashtu, është shumë me rëndësi që buxheti të ndërtohet dhe të krijohet mbi analiza. Mendoj se në hartimin e këtij buxheti nuk janë bërë analizat e duhura”, është shprehur ajo.


Hardërgjonaj ka theksuar se buxheti për vitin 2017, sipas premisave reale, është 1.725 milion euro e jo dy miliardë euro pasi, sipas saj, planifikimi nga mjetet e likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe huamarrjes nuk janë indikacione të rritjes ekonomike, por vetëm se e fusin vendin në borxh.

“Krejt çfarë ka qenë e rëndësishme për t’u theksuar këtu ka qenë që të thuhet se buxheti është rritur në 2 miliardë euro. Dëshira jonë është të themi se është rritur 3, 4 apo 5 miliardë, por mundësitë dhe realiteti janë ndryshe. Në fakt, buxheti është 1.725 milion euro, që është rritur në krahasim me vitin 2016 për 91 milionë euro, që është rritje më e vogël krahasuar me rritjen që është bërë në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015 që ka pasur rritje për 160 milionë euro apo krahasuar me rritjen që është bërë në vitin 2015 dhe në vitin 2014 për 125 milionë euro”, ka thënë Hadrgjonaj.

Rritja e shpenzimeve sipas saj, në 2.001 mijë euro ka ardhur si rezultat i rritjes së huazimeve, rritjes së borxheve dhe kalkulimeve se do të realizohen të hyra nga AKP-ja përmes likuidimit, që janë mjete vështirë të realizueshme. /Telegrafi/