LAJMI I FUNDIT:

Roli i mbretit ishte i lirë

Roli i mbretit ishte i lirë

Lena Andersson

Komedia njerëzore ka një akt në të cilën populli dhe mbreti bashkohen për ta përmbytur aristokracinë. Në shoqëri demokratike aristokratë janë politikanët, intelektualët, ekspertët dhe gazetarët.

Një ndër shpjegimet më konkrete për të kuptuar humbjen që Hillary Clinton pësoi në zgjedhjet presidenciale ishte ajo që gazetari Andreas Utterström parashtroi në studio të Televizionit suedez, mëngjesin e parë pas zgjedhjeve. Edhe vetë i habitur me rezultatin ai kërkoi nga një mik i tij amerikan që shikuesve suedezë t’ua shpjegonte situatën. Miku amerikan ofroi një listë me katër pika relevante, ndër të cilat një ishte njëkohësisht sqaruese dhe e pakuptueshme: Dasma e Chelsea Clinton kishte kushtuar tre milionë euro.


Chelsea është bija e Hillary dhe Bill Clintonit dhe me një buxhet të tillë dasme dyshimi se ata e shohin veten si mbretër, ose së paku si aristokratë, është mëse i përligjur. Në këto zgjedhje mbret ishte Donald Trump. Aleanca në mes të mbretit dhe popullit ka një traditë të vjetër. Pjesa teatrore e njerëzimit përmban një gjedhë që vazhdimisht përsëritet e në të cilën mbretërit i bashkohen popullit për të përmbytur aristokracinë. Megjithëse titujt nuk duhet të interpretohen gjithmonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Varësisht nga sistemi shtetëror dhe konteksti kohor gjithmonë shfaqen variante të ndryshme të aristokracisë, të mbretërve dhe të fshatarsisë. Këto përbëjnë vetëm role që duhet të plotësohen.

Gustav III, në vitin 1772, u bashkua me popullin kundër aristokracisë, i dha fund epokës së lirisë dhe e bëri shtetin monarki absolute. Disi ngjashëm me të monarku Trump shfrytëzioi zemërimin e popullit ndaj atyre që kishin pushtetin, që mbanin privilegje shtetërore dhe ishin hipokritë.

Roli i mbretit ishte i lirë dhe Trump e morri atë. Ai edhe vetë është aq larg prej popullit sa edhe Zotërinjtë, natyrisht, dhe ka zakone e bën dasma edhe më të kushtueshme, por me të çdo gjë është ashtu si edhe duhet të jetë. Kur mbreti shpall vetveten udhëheqës të popullit ai nuk duhet të jetë si ata, ai duhet të jetë më i mirë se ata. Ai ka mundësinë që në emër të popullit të ndëshkojë fisnikët dhe ata që dallohen, ata që predikojnë humanizëm, liberalizëm dhe vlera të mira e që pastaj i dërgojnë llogarinë popullit të thjeshtë dhe e përqesh atë për njohuritë e kufizuara që kanë.

Mbreti ndërkaq duhet t’i ngjajë popullit të vet por të jetë më i zoti se ata që të mund të jetë zëdhënës i tyre, për të vlejnë tjera norma etike. Ai ka të drejtë të shoqërohet nga femra të bukura, të ketë shumë para dhe të thotë gjëra që kurrë nuk do t’i lejoheshin dikujt tjetër. Këto të drejta mban vetëm deri sa të jetë mbret i tyre. Atë ditë që ai kalon në anën e aristokracisë, fillon të kujdeset për privilegjet fisnike dhe nuk përmbush premtimet e tija atëherë edhe zakonet e kushtueshme dhe sjellja e pahijshme i kthehet kundër tij. Mirëpo deri në atë ditë mangësitë i lejohen pa u vërejtur.

Natën e zgjedhjeve roli mbretëror i Trumpit u theksua qartë dhe ai paraqiti dinastinë e tij në skenë në fjalimin e fitores. Pranë nuk kishte gruan, por trashëgimtarin e fronit. Që ai qe djali i tij i vogël ishte vetëm një dëshmi e burrërisë së tij. Në një mbretëri ku mbahen zgjedhje të lira, si është mbretëria amerikane, nuk është aq e nevojshme që regjenti i posazgjedhur të tregojë se ka siguruar fronin aq sa ka nevojë të tregojë se është i ri dhe vital. E atëherë është më mirë të kesh pranë një princ dhjetëvjeçar se sa një djalë të moshës mesatare i cili tashmë e ka bërë mbretin pesë herë gjysh.

Mund të jetë një gabim serioz që si shkak kryesor të marrim zemërimin e fshatarësisë moderne e cila e ka votuar atë për shkak të ruajtjes së sundimit të të bardhëve, white supremacy, si u shpreh një votues, dhe se ajo fshatarësi është një whitelash, si u shpreh një komentues në CNN. Fshatarësia e bardhë amerikane e di shumë mirë se ata, nga perspektiva e aristokracisë, qëndron në fund të kierarkisë, se çdo gjë që bën e bën gabim dhe se nuk kushton asgjë ta përqeshësh dhe ta njollosësh atë. Ata shohin dhe dëgjojnë se janë një kategori për të cilën askush nuk kujdeset derisa minoritetet dhe femrat janë të përkëdhelurit e aristokracisë liberale dhe gëzojnë mbrojtjen e tyre. Kështu këto grupe bëhen edhe vetë pjesë e elitës dhe të godasësh ata është të godasësh lart.

Fshatarësia vëren poashtu se ata pa përjashtim interpretohen negativisht, gjithmonë për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre (dhe gjinisë nëse janë mashkuj), dhe për dallim nga të përkëdhelurit atyre nuk u ofrohet asnjë ndihmë për të gjetur fajtorin e dështimeve të tyre. Ata s’kanë nevojë të hapin gojën që të cilësohen si të ulët, si mbeturina, racistë dhe bigot. Individë që kanë tjetër ngjyrë të lëkurës por me njohuri poaq të kufizuara si ata asnjëherë nuk cilësohen aq brutalisht nga klasët e definuara.

Kur më në fund paraqitet një mbret që kupton zemërimin e tyre ndaj përbuzjes së pushtetarëve, ndaj së cilës bile është e pamundur të mbrohesh pa e vërtetuar atë, ata lidhin aleancë me këtë mbret, pavarësisht se kush është dhe çka thotë ai.

Një bashkëpunëtor i tij e quajti Trumpin milioner me uniformë punëtori; thellë në shpirtin e tij ai e ndien, e kupton frustracionin dhe situatën e votuesve të tij, e kupton me zemër dhe materialisht. Mendoj se ai me të vërtetë është i tillë. Besoj poashtu se Trump tash do të dëshironte të tërhiqet. Ai ka arritur atë që donte, fitoren, të tregojë se ai bile mund të bëhet edhe president.

Tashmë ska asgjë që do të mund të pushtohej – pos simpatisë së aritokracisë, respektin e njerëzve fisnikë. Të arrijë këtë mund të jetë revanshi i tij i radhës, një mënyrë për të vë në lävizje adrenalinën, e vetmja mundësi për të arritur fitore të reja dhe të pa para Kjo do të ishte në dobi të botës por një katastrofë psikologjike për ata që e votuan. Pas kësaj roli i mbretit mbetet përsëri i lirë. Balzaku e quante dramën njerëzore La comédie humaine, komedi njerëzore. Në këtë dramë të gjithë ne përpëlitemi dhe shqiptojmë replika të konsumuara. Ekzistojnë mundësi për të ndryshuar rolet, mirëpo për të shkruajtur dramën përsëri është tejet vështirë. Prandaj dhe rreziku është minimal që kjo që ndodhi të jetë fundi i botës që ne njohim. Bota është pikërisht e tillë si ka qenë gjithmonë.