LAJMI I FUNDIT:

Hoxha merr përkrahje të fuqishme për luftimin e ekstremizmit

Hoxha merr përkrahje të fuqishme për luftimin e ekstremizmit

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, gjatë vizitës zyrtare në Uashington, ku qëndroi me ftesë të Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takim me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në lëmin e drejtësisë.

Ministrja Hoxha takoi Brett McGurk, përfaqësuesin special të Presidentit amerikan të Koalicionit global për luftën kundër terrorizmit dhe me këtë rast u diskutua për trendët globale të terrorizmit dhe rajonin e Ballkanit.

Përfaqësuesi special i Presidentit amerikan, McGurk, ka vlerësuar se Republika e Kosovës, ka dhënë kontribut të çmuar kur i është bashkuar koalicionit global kundër terrorizmit duke çmuar miratimin e ligjit dhe masave tjera kundër terrorizmit.


Ai po ashtu theksoi se është lajm i mirë se ka ulje të numrit të pjesëmarrësve të shtetasve të Kosovës që marrin pjesë në konfliktet që zhvillohen në shtetet tjera.

Ministrja theksoi rëndësinë e trajtimit dhe masat ndaj personave që marrin pjesë në luftëra në shtetet e huaja si dhe masat e deradikalizimit dhe risocializimit ndaj personave të tillë.

Ministrja Hoxha, mori përkrahje të plotë nga i deleguari i Presidentit Obama për përkushtimin e saj, duke vënë në pah se kjo përkrahje do të vazhdojë për Ministrinë e Drejtësisë edhe në të ardhmen në fuqizimin e shtetit ligjor dhe sistemin e drejtësisë. /Telegrafi/