LAJMI I FUNDIT:

Celula e ISIS-it kërkonte të shtrihej në Shqipëri (Video)

Celula e ISIS-it kërkonte të shtrihej në Shqipëri (Video)

Operacioni antiterrorizëm i zhvilluar 10 ditë më parë në Shkodër, i cili çoi në pranga 4 persona është ende në zhvillim.

Burime nga grupi hetimor thonë për Tv Klan se një numër i madh personash të skeduar si të rrezikshëm mbahen nën survejimin e antiterrorit.

Sipas të njëjtave burime, synimi i celulës e cila ende nuk konsiderohet e shkatërruar nuk ka patur synim vetëm të organizojë dhe dërgojë besimtarë myslimanë për të luftuar përkrah ISIS.


Një nga objektivat e tyre ishte krijimi i një organizimi të brendshëm vetëm për Shqipërinë.

Në celulë janë përfshirë njerëz të besuar dhe qëllimi i saj është kryerja e akteve terroriste. Një ndër ta ishte edhe plani për të sulmuar kombëtaren izraelite të futbollit.

Por duke qenë se 4 të arrestuarit në Shkodër, Bekim Protopapa, Xhezair Fishti, Medat Hasani dhe Ergys Faslija bashkëpunonin ngushtë me të arrestuarit në Kosovë, hetuesit dyshojnë se celula kishte synim edhe sulme në Kosovë.

Dy prej të prangosurve atje kanë pranuar të bashkëpunojnë, por të dhënat mbahen sekret.

Autoritetet shqiptare, për të kuptuar mënyrën se si funksiononte celula, kanë kërkuar nga pala kosovare informacione.

Për këtë arsye është dërguar një letër-porosi për të sqaruar pozicionin e të ndaluarve në Shkodër, në celulën e cila dyshohet se drejtohej nga Lavdërim Muhaxheri.