LAJMI I FUNDIT:

Transporti Urban në Prizren tashmë ka materiale informuese

Transporti Urban në Prizren tashmë ka materiale informuese

Në kuadër të krijimit të Platformës për Transportin Urban në Prizren, EC Ma Ndryshe ka dizajnuar materialet grafike informuese, përkatësisht hartat e linjave urbane, orarin e shërbimit të këtyre linjave, shenjëzimet e stacioneve urbane dhe shenjëzimet brenda autobusëve, pasi paraprakisht ka definuar lokacionet dhe emërtimet e stacioneve lokale.

Përmes performansës “Harta e Transportit Urban të Prizrenit dhe shenjëzimi i autobusëve” ato janë vënë në shërbim të publikut me synimin që të lehtësohet informimi i qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë shërbim, thuhet në njoftim.

Në një analizë të bërë për transportin urban në Prizren, pas takimeve dhe punëtorive të organizuara nga EC dhe OPDMK me grupet e ndryshme të komunitetit, janë identifikuar problemet si mungesa e shenjëzimeve rrugore; mungesa e materialeve informuese; mungesa e stacioneve urbane; ndalesat jo të rregullta të autobusëve; pengesat në qasje të personave me aftësi të kufizuar, etj.


Për adresimin e problemeve të lartpërmendura EC dhe OPDMK kanë kontraktuar një grup të ekspertëve për prodhimin e zgjidhjeve konkrete në këtë drejtim. Në bashkëpunim edhe me kompaninë përgjegjëse për menaxhimin e këtij sektori në zhvillim e sipër është krijimi i platformës së transportit urban të Prizrenit.

Pos definimit të lokacioneve dhe emërtimit të stacioneve lokale e dizajnimit të materialeve grafike informuese (harta e linjave urbane, orari i shërbimit të këtyre linjave, shenjëzimet e stacioneve urbane dhe shenjëzimet brenda autobusëve), pjesë përbërëse e platformës janë edhe hartimi i manualit për transportin urban të Prizrenit; dizajnimi i “Stacionit Urban Model” në bazë të rregulloreve ndërkombëtare për stacionet urbane, me fokus të veçantë në standardet për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe dizajnimi i tabelës (shtyllës) informuese që përcakton lokacionin e stacionit lokal me të gjitha informatat përcjellëse.

Performansa “Harta e Transportit Urban të Prizrenit dhe shenjëzimi i autobusëve” është realizuar në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…” që zbatohet nga EC Ma Ndryshe, me financim nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë.