LAJMI I FUNDIT:

Bushati kërkoi nga Bosnja njohjen e Kosovës

Bushati kërkoi nga Bosnja njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Sarajevë, me ftesë të homologut boshnjak, Igor Crnadak, ku u takua zhvilloi takime me krerët më të lartë të shtetit.

Siç njofton Ministria e Jashtme, gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm, palët vlerësuan dialogun e vazhdueshëm politik, si dhe bashkëpunimin në rritje në një sërë fushash, si premisa më e mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Theks të veçantë në këtë kuadër, iu vu eksplorimit të mundësive për lidhje të reja ekonomike dhe tregtare, ku u evidentua nevoja për zgjerimin e kuadrit ligjor me disa marrëveshje të reja dypalëshe, si dhe finalizimin e atyre ende në proces, transmeton KosovaPress.

Ministrat Bushati dhe Crnadak shprehen besimin se komuniteti shqiptar në Bosnje do të shërbejnë me kontributin e tyre, si një urë e sigurt për fuqizimin e miqësisë midis dy vendeve tona, duke u shprehur të angazhuar në mbështetje të integrimit të tyre të mëtejshëm dhe ruajtjes së identitetit.


Ministri Bushati shprehu qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të plotë të integrimit evropian të Bosnjë-Hercegovinës dhe përshëndeti pranimin e kërkesës së saj për anëtarësim në BE, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në muajin shtator, si një zhvillim të rëndësishëm dhe inkurajues për ndërmarrjen e hapave të mëtejshme në proceset integruese.

Në inkurajim të politikës së dyerve të hapura të NATO-s, ministri Bushati i përcolli holomogut boshnjak përkrahjen e Shqipërisë, në këtë kuadër, si një pjesë e rëndësishme e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në rajon e më gjerë.

Lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, bashkëbiseduesit ndanë qasjen se dy vendet tona kanë një kontribut të vyer në forcimin e stabilitetit, sigurisë, konsolidimin e progresit demokratik në Ballkanit, duke u shprehur të bindur se kjo frymë besimi e bashkëpunimi të ngushtë do të vijojë edhe në të ardhmen.

Ministri Bushati theksoi nevojën e rikonsiderimit të pozicionit të Bosnjës me synim njohjen e Kosovës dhe mbështetjen për përfshirjen e saj në organizatat rajonale, veçanërisht në Kartën e Adriatikut, si një vlerë të shtuar në funksion të stabilizimit, paqes dhe sigurisë në rajon. Gjithashtu Ministri Bushati kërkoi nga homologu boshnjak njohjen e dokumenteve të udhëtimit për qytetarët e Kosovës si dhe lehtësimin e regjimit të lëvizjes, pasi do të kishte një impakt pozitiv në rritjen e shkëmbimeve mes qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.

Ministri Bushati pati takime të veçanta me treshen e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Denis Zvizdic si dhe Kryesinë e dhomave përfaqësuese të Parlamentit boshnjak.

Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua Marrëveshja e Transportit tregtar detar mes Republikës së Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës./Telegrafi/