LAJMI I FUNDIT:

Urbicidi dhe si kisha në oborrin e UP-së u bë pjesë e këtij fenomeni (Foto)

Urbicidi dhe si kisha në oborrin e UP-së u bë pjesë e këtij fenomeni (Foto)

Pos si temë e nxehtë politike, Kisha e ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP) po nxit debate edhe në rrafshin urbanistik. Ky objekt, i cili vlerësohet se nuk ka respektuar asnjë prej rregullave dhe normave urbanistike, po konsiderohet si “gjenocid” ndaj ambientit jetësor.

Profesori i Arkitekturës, Xhelal Llonçari, shprehet se regjimi i Sllobodan Millosheviqit përmes kësaj kishe ka kryer urbicid.

“Nëse gjenocidi planifikon zhdukjen e njerëzve, urbicidi synon shkatërrimin e hapësirës ekzistenciale. Kur dhunohet një hapësirë e tillë, kjo lë pasoja dhe trauma në sjelljen e njeriut”, ka thënë Llonçari për Telegrafin. ”E ashtuquajtura Kishë nuk duhet assesi të funksionalizohet, meqë përballet me një sërë problemesh të natyrës administrative, ligjore, kushtetuese, arkitektonike dhe urbanistike”.


k222
Profesori i Arkitekturës, Xhelal Llonçari

Ai mendon se intenca e politikës serbe ka qenë që pikërisht në oborrin e UP-së – të cilin serbët e kanë quajtur kështjella e nacionalizimit shqiptar – të ndërtohet një objekt i tillë.

“Objektet në oborrin e UP-së – Rektorati, Fakulteti Juridik ose ai Ekonomik – në mënyrë simbolike tregonin fitoren e popullit shqiptar. Ata nuk mund të pajtoheshin që një kampus ushtarak (i ish-Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene), të kthehej në një kampus të dijes”, ka shtuar Llonçari.

Sipas tij, përmes kësaj kishe është tentuar që të ndryshohet historia – duke e lënë si një ‘mollë sherri’ mes popujve – e jo për t’i shërbyer interesave të besimtarëve ortodoksë serbë.

“Numri i popullatës ortodokse në Prishtinë është shumë i vogël dhe rrjedhimisht nuk ka nevojë për një objekt të këtij lloji, thekson arkitekti kosovar, duke shtuar “se po të kishte nevojë do t’i gjendej edhe lokacioni adekuat – këtë nuk e ka mohuar asnjëherë asnjë organ i joni”.

Llonçari mendon se insistimi që të ngrihet ky objekt në lokacionin ku është sot, ishte revanshizëm ndaj rolit të madh që ka pasur UP-ja në ngritjen e vetëdijes shoqërore të shqiptarëve të Kosovës.

“Në këtë kampus nuk do të duhej të jetë asnjë objekt i kultit. Ne, si shtet sekular, duhet ta ruajmë neutralitetin e universitetit publik”, ka shtuar ai.

A e keni ditur se Kisha kur shikohet nga pjesa para Rektoratit ka një detaj specifik? (Foto)
Lexo po ashtu A e keni ditur se Kisha kur shikohet nga pjesa para Rektoratit ka një detaj specifik? (Foto)

Profesori i Arkitekturës ka folur edhe për arsyet që e kanë shtyrë regjimin e asaj kohe që këtë objekt ta ndërtojë pikërisht në oborrin e UP-së.

Sipas tij, kjo lidhet me perceptimin estezik – përjetimet ose emocionet që zgjon një objekt arkitektonik.

“Imagjinoni çfarë perceptimi mund të kishin studentët e UP-së, nëse në kampusin e tyre shohin vazhdimisht priftërinj dhe dëgjojnë rëniet e kambanave. Kjo i jep kuptim tjetër vendit ku njerëzit shkojnë për të studiuar”, ka thënë ai, duke shtuar se objekti i tillë, me arkitekturë të madhe fizike, dominon ambientin e destinuar për dije.

“Këto janë veprime të bashkërenduara e aspak të rastësishme. Serbia tash e një shekull ka skicuar synime dhe vizione të tilla, një pjesë të të cilave i kanë realizuar praktikisht”.

Llonçari ka folur edhe për neglizhimin e çështjes së këtij objekti, nga pushteti i ri dhe i papërvojë i pasluftës.

Ai nuk dëshiron ta amnistojë askënd, por thotë se duhet të jemi realë kur vlerësojmë prej perspektivës kohore.

“Duhet pas parasysh se ishim popull i dalë nga lufta. Nga një popull me institucione të reja nuk mund të presësh veprime perfekte. Ndoshta dikur ka pasur urgjenca tjera, por tash është koha që t’ju jepet hapësira e duhur ekspertëve të të gjitha profileve – jo vetëm arkitektëve dhe urbanistëve. Një popull kur e krijon një shtet, e drejta më e madhe është e drejta e planifikimit”, ka theksuar ai.

Profesori për fund beson që kjo kishë nuk do të funksionalizohet kurrë, por se sipas tij, do të duhej të konservohet.

k111
Propozimi i profesorit – kupola gjeodezike

“E kam dhënë një skicë, sa për ilustrim. Ideja ime është që ai objekt të mbulohet më një kupolë gjeodezike. Kjo bëhet që ta zbeh ose mbulojë prezencën e siluetës së saj në këtë ambient”, thotë Llonçari.

“Ideja është që brenda asaj kupole të bëhet muzeu i urbicidit, ku do të prezantoheshin maketet dhe fotografitë e shkatërrimeve që kanë ndodhur në Kosovë, të cilat kanë qenë të bashkërenduara dhe kanë pasur vetëm një qëllim: zhdukjen e identitetit të një populli”. /Telegrafi/