LAJMI I FUNDIT:

A e keni ditur se Kisha kur shikohet nga pjesa para Rektoratit ka një detaj specifik? (Foto)

A e keni ditur se Kisha kur shikohet nga pjesa para Rektoratit ka një detaj specifik? (Foto)

Ndërtimi i kishës ortodokse serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës (UP), përveç dimensionit politik e ka edhe atë arkitekturor.

Koha, vendi, motivet dhe pozicioni i kësaj kishe, sipas profesorit të arkitekturës Xhelal Llonçari, ka treguar për aspiratat e ish–regjimit të Millosheviqit, për ta gatuar arkitekturën folklorike serbe.


Llonçari në librin e tij “Arkitektura dhe Urbanizmi Sinergjik”, të botuar në vitin 2004, në mesin e shumë objekteve arkitekturore ka treguar disa specifika të kishës serbe e cila ndodhet në kampusin universitar.

Ai ka vënë në pah se edhe për vendosjen e kryqit në Kishë është menduar deri në detaje, raporton Telegrafi.

Vendosja e kryqit në Kishë, në atë pozicion është bërë qëllimshëm, pasi po të shikohet nga pjesa ballore e Rektoratit, atëherë mund të aludosh që kryqi është i vënë mbi Rektorat dhe rrjedhimisht mbizotëron peizazhin në këtë pjesë të qytetit.

111
Fotoja e realizuar në vitin 2004

Ai në librin e tij thekson se kjo kishë, me përmasat e jashtëzakonshme për këtë nënqiell, me një pseudostil bizantin, duhej të paraqitej mbizotëruese në peizazhin urbanistik të Prishtinës dhe në këtë mes një porosi të veçantë përmbante vendi ku u ngrit.

111
Rritja e pemëve në oborrin e Rektoratit të UP-së e ka pamundësuar realizimin e fotos nga këndi ku vërehet qartë kryqi mbi kulmin e objektit të Rektoratit, siç ishte bërë në vitin 2004. Foto: Ridvan Slivova

Llonçari më tutje vazhdon duke thënë se hapësira arkitektonike dhe urbanistike përreth këtij objekti (kishës), si dimension i hapësirës ekzistenciale, paraqitet në trajtën më të vrazhdë në pasqyrën e peizazhit urbanistik dhe ngulitet në kokat tona si një perceptim hapësinor traumatik e paradoksal, duke u imponuar si ‘fokus’ dhe ‘dominante’ e këtij distrikti, po edhe më gjerë.

Sipas tij, ky objekt paraqet një barrierë demonstruese, duke theksuar se veprimet estezike nga prania e një strukture të tillë, rëndojnë psiken e qytetarëve dhe sidomos të studentëve, kurse adaptimi me këtë fotografi është i pamundshëm për shkak të mbamendjes së njerëzve nga e kaluara e largët dhe e afërt e tyre, nga përplasje të ngjashme, të cilat, pa përjashtim, përfundonin vetëm me përpjekjet për të zhdukur identitetin tonë kombëtar.

1111
Rritja e pemëve në oborrin e Rektoratit të UP-së e ka pamundësuar realizimin e fotos nga këndi ku vërehet qartë kryqi mbi kulmin e objektit të Rektoratit, siç ishte bërë në vitin 2004. Foto: Ridvan Slivova

Arkitekti kosovar thotë se brumin e maskave që kishte bartur deri atëherë pushteti nisi ta shfrytëzonte për të gatuar arkitekturën folklorike me motive serbe.

Sipas tij, nga një anë frika se mos rastësisht shprehja e folklorizmit mund të mbetej e pavërejtur në mënyrë të dukshme, dhe qëllimin e tyre për ndërrimin rrënjësor të peizazhit urbanistik, bën që një folklorizëm i tillë të kalonte, thjesht, në klerikalizëm arkitektonik.

Llonçari në librin e tij “Arkitektura dhe Urbanizmi Sinergjik”, sqaron se përveç kampusit universitar, kishat filluan të ndërtohen në të gjitha qytetet e Kosovës, raporton Telegrafi.

Ai thekson se përplasjet e tilla në arkitekturë dhe urbanizëm zgjasin më së shumti. Nuk ka asnjë mundësi për tu futur në sirtar një peizazh të tillë urbanistik; nuk ka mundësi të kthesh anash apo të mbulohet kjo nga çfarëdo ‘zhurme’, qoftë profesionale ose politike.

Llonçari ka theksuar se ndërtimi i kësaj kishe, çuditërisht, përparonte dhe shkonte krahas fuqizimit të politikës gjenocidale të pushtetit serb, sipas tij, kjo ngrehinë u ndal mu aty ku Perëndimi i tha stop asaj politike.

Ai më tutje thotë se “në qoftë se njerëzimi ka forcë të gjykojë kreatorët e një politike që ushtroi gjenocid mbi një popull, nga aspekti ekzistencial dhe etik, shtrohet pyetja – pse mbrohet një politikë e tillë shkatërruese, një urbicid, që është kryer ku jeton i njëjti popull që u masakrua. Mos vallë, për tu gjykuar diçka, u dashkan vetëm kufomat. A bëhet gjykimi për hir të të vdekurve apo të të gjallëve”.

Ndryshe, ditë më parë në kishën e cila ndodhet në oborrin e UP-së, kanë filluar meremetimet e këtij objekti me qëllim të funksionalizimit të tij. Por, inspektorët e komunës e Prishtinës i kanë ndaluar punimet, duke theksuar se ky objekt është i ndërtuar pa leje. /Telegrafi/