LAJMI I FUNDIT:

Më nuk do të mund të hidhni ushqimin e tepërt, nuk u’a lejon ligji në Maqedoni!

Më nuk do të mund të hidhni ushqimin e tepërt, nuk u’a lejon ligji në Maqedoni!

Asociacioni për mjedis të pastër jetësor “Hajde, Maqedoni” ka ngritur iniciativë për sjellje të Ligjit për donim të ushqimit. Sipas tyre, me sjelljen e këtij ligji rregullohen të drejtat dhe obligimet në drejtim të dhurimit të ushqimit për njerëz dhe kafshë, kushtet dhe mënyra e posedimit dhe distribuimit të ushqimit të dhuruar, lehtësimet tatimore dhe stimulimet për dhurim të ushqimit para skadimit të afatit si dhe kufizim të hedhjes së ushqimit të sigurt për t’u përdorur për njerëzit dhe kafshët. “Nevojat për sjelljen e një ligji të këtillë dhe ndryshimeve të dispozitave të tjera ligjore vijnë nga gjendja faktike e cila tregon se në vit vetëm në deponinë e Shkupit Drislla përfundojnë 1.730 tonelata ushqim (të dhëna për vitin 2014), ndërsa duke krahasuar për banorë dhe gjenerim të mbeturinave për kokë banori në tërë Maqedoninë, këto numra janë rreth minimum 5.000 tonelata ushqim që përfundon në deponi”, thonë nga “Hajde, Maqedoni”, njofton gazeta Koha.

Por sipas informatave më të reja, rreth 26.000 tonelata ushqim në vit përfundojnë në deponinë e Shkupit Drisla. Nga kjo sasi, 24.000 tonelata është ushqim organik i hedhur nga amvisëritë dhe objektet hotelerike. “Kjo vjen më së shpeshti nga prodhuesit e ushqimit të këtillë. Nëse bëhet fjalë për industri ushqimore, kompani të caktuar të qumështit, prodhimtari të mishit dhe prodhimeve të mishit dhe prodhime të ngjashme konditore që janë me afat të skaduar i dërgojnë vet prodhuesit. Në nivel vjetor kemi rreth 2 mijë tonelata ushqim të këtillë. Në nivel ditor pranojmë rreth tre kamionë ushqim me afat të skaduar”, ka deklaruar Goran Angellov, drejtori i deponisë “Drislla”. Nga “Hajde, Maqedoni” theksojnë se një ndër qëllimet themelore të rregullativës ligjore është ulja e sasisë së mbeturinave të ushqimit dhe humbjeve nga ushqimi, shpërndarje të tepricës së ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm për familjet e prekura nga gjendja sociale dhe për kafshët para skadimit të afatit dhe ulja e ndikimeve negative ndaj mjedisit jetësor. “Me uljen e sasisë së mbeturinave të ushqimit dhe shpërndarjen e ushqimit për njerëzit që kanë nevojë, do të ulej problemi me urinë në Maqedoni. Nëse arrijmë të mënjanojmë hedhjen e ushqimit dhe të ulim sasinë e mbeturinave të ushqimit në Maqedoni, do të mënjanonim edhe emetimin e panevojshëm të gazrave qelqor dhe do të kontribuonim për zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Rreth 30 përqind e ushqimit të prodhuar ose i importuar në Maqedoni asnjëherë nuk konsumohet, sepse prishet menjëherë pas mbledhjes ose gjatë transportit, ose në fund në mbeturina e hedhin zinxhirët e mëdhenj tregtarë dhe konsumatorët”, theksojnë nga “Hajde, Maqedoni”. Asociacioni “Hajde, Maqedoni” inicion këtë rregullativë ligjore me mbështetje të “Platformës Maqedonia kundër varfërisë”, Shoqatën e nënave kryefamiljare “One can” (Një mundet), “Veprat e vërteta të këndshmërisë” dhe organizata të tjera. Shkatërrimi dhe hedhja e ushqimit nuk është i arsyetueshëm çdoherë. Afati i përdorimit jo çdoherë do të thotë se ushqimi nuk është i sigurt për t’u ngrënë.


Prodhimet etiketohen ndryshe

Thuajse të gjithë hedhin ushqimin për shkak të afatit të përdorimit ose nga frika të mos helmohen. Megjithatë, prodhuesit afatin e përdorimit e vendosin sipas bindjes së tyre. Rregullativa ligjore nuk obligon çdo ushqim të shënohet me afat të përdorimit. Ushqimi më i rrezikshëm, i cili nuk mund t’i ikë prishjes është mishi, vezët dhe prodhimet e qumështit. Këto prodhime kanë afat të përdorimit, por kalimi i afatit nuk do të thotë se prodhimi do të prishet.

“Shitet deri më” tregon sa gjatë shitorja mund ta ruajë prodhimin e caktuar në vitrina për shitje. Por, ushqimi ende është i shijshëm dhe i sigurt për t’u ngrënë edhe pas disa ditëve të kalimit të asaj date, nëse ruhet siç duhet. – “Më së mirë është të përdoret deri më” data është e shënuar nga ana e prodhuesve. Prodhimi është më i freskët dhe ka shijen dhe përbërjen më të mirë nëse hahet deri në atë datë. Por, kjo nuk ka të bëjë me sigurinë e ushqimit. – “Të shfrytëzohet deri më” data gjithashtu është shënuar nga ana e prodhuesit. Ajo është data e fundit në të cilin prodhimi do të ketë kualitet cilësor. Pas kësaj date, shija, përbërja dhe kualiteti mund të ulen, edhe pse ushqimi është i sigurt për t’u ngrënë. Data e “skadimit” është data e vetme e paketimit që ka të bëjë me sigurinë e ushqimit. Nëse kjo datë kalon, atëherë ushqimi duhet të hidhet.

Çdo gjë që është e ngrirë zgjat pa afat

Sipas ekspertëve, nëse ngrini ndonjë gjë, e njëjta do të zgjatë pa kufi. Por, megjithatë duhet të vendosni vet dhe le të ju udhëheqin shqisat. Nëse diçka ka aromë të vjetër dhe të mykur si dhe ka ngjyrë të dyshimtë, nuk është e sigurt ta hani, porosisin ekspertët. Sipas njohurive, qumështi më së shpeshti është i sigurt për tu pirë dy ose tre ditë pas skadimit të afatit që është i shënuar në etiketë. Ai duhet të ruhet në frigorifer në temperaturën më të ulët. Gjalpi (puter) pas blerjes mund të hahet dy deri në tri javë, ndërsa margarina katër deri në gjashtë muaj pas blerjes. Ekspertët sugjerojnë se vezët janë të sigurta për tu ngrënë tre deri në pesë javë pasi të blihen. Vezët ruhen në pjesën e pasme të frigoriferit, ku temperaturat janë më të ulta, në vend se në afërsi dhe në derë të frigoriferit. Pastaj, mishi i pulës dhe mishi i bluar zgjasin një deri në dy ditë pas blerjes. Ndërsa, pula e përgatitur duhet të jetë e sigurt për tu ngrënë tre deri në katër ditë. Peshku, nga ana tjetër, zgjatë një deri në dy ditë në frigorifer pas blerjes. Prodhimet e mishit të thatë janë të sigurta për tu ngrënë tre deri në katër javë pa u hapur. Por, pasi të hapen më së miri është të përdoren në periudhë prej tre deri në katër ditë. Brumërat e thata zgjasin një deri në dy vjet pas blerjes. Përveç asaj, pemët dhe perimet e konservuara kanë afat të pakufizuar të skadimit. Por ajo rregull nuk vlen nëse ato ekspozohen në temperatura më të larta se 32 gradë ose temperatura të ngrirjes. Duhet të kihet kujdes edhe në dëmtimin dhe ndryshkjen e paketimit. /Telegrafi/