LAJMI I FUNDIT:

Hoxha: Personat që ekzekutuan Artan Santon, janë vrarë

Hoxha: Personat që ekzekutuan Artan Santon, janë vrarë

Vrasja e bankierit të njohur shqiptar Artan Santo në mes të ditës në zonën e ish-bllokut mbetet ende e pazbardhur, pasi asnjë nga autorët që e qëlloi atë me armë teksa futej në bankën e tij, nuk është vënë në pranga.

Gazetari investigativ Artan Hoxha tha në studion e “Opinion” se vrasësit e Santos, të cilët u filmuan nga kamerat e sigurisë teksa qëlluan për vdekje bankierin e më pas u larguan me motor, janë vrarë nga personat që kanë bërë porosinë për këtë ekzekutim.

“Nuk ka vrasje më të tmerrshme live para kamerave, në mes të Tiranës dhe ne nuk dimë jo kush është autori, se autorët i kanë vrarë. I kanë nën dhe, por nuk dimë kush është motivi. Edhe autorët i kanë vrarë dhe shanset për të shkuar drejt asaj, e shpreh me keqardhje, janë të pakta…”, tha Hoxha.


Bankieri Artan Santo u vra në qershor të vitit 2014, ndërsa autorët mundën të largohen pa u kapur nga policia. Pak ditë më parë edhe bashkëshortja e të ndjerit u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Shëndeti i saj ishte përkeqësuar që pas vdekjes së bashkëshortit.