LAJMI I FUNDIT:

Termokosi ka bërë kërkesë për uljen e çmimit të ngrohjes

Termokosi ka bërë kërkesë për uljen e çmimit të ngrohjes

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” nuk do t’i ngrohë të gjitha lagjet e Prishtinës nga 15 tetori, kur zyrtarisht nis sezoni i ngrohjes. Një pjesë e vogël e lagjeve të Prishtinës, ngrohjen do të mund ta shfrytëzojnë nga fundi i muajit, pasi që punimet në një segment në kryeqytet po marrin kohë.

Lajm i mirë për prishtinasit është se çmimi i ngrohjes për metër katror mund të ulet.


Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Termokos”, Naser Canolli, gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online.

“Jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet që sezoni të fillojë me 15 tetor. Përgatitjet janë duke shkuar në drejtim të duhur, mund të them që pjesa dërmuese e Prishtinës do të ngrohet me 15 tetor, por ka mundësi që një pjesë e vogël e një segmenti të lagjes së Prishtinës do të mbetet deri ka fundi i tetorit, diku 26-27 do të fillojë edhe ajo pjesë për t’u ngrohur, sepse punimet në një segment do të na marrin kohë”, deklaroi ai.

Sa i përket çmimit të ngrohjes, sipas tij, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), është ajo që ka mundësi të vendos.

“Ka mundësi që ZRrE-ja të vendosë me një zbritje simbolike të cmimit, nuk varet prej neve, sepse ne i kemi dërguar ato të gjitha që i kanë kërkuar, por është e drejtë ekskluzive kompetencë e ZRrE-së. Varësisht qysh të vendosë Zyra e Rregullatorit ne jemi të gatshëm të implementojmë dhe ta zbatojmë atë vendim”, shprehet Canolli.

Gjatë intervistës, kryeshefi ka folur edhe rreth faljes së borxheve për të cilën theksoi se konsumatorëve iu është falur një shumë prej 2.3 milionë euro, mirëpo ai apelon tek qytetarët që ta shfrytëzojnë edhe gjashtë mujorin shtesë për falje të borxheve.