LAJMI I FUNDIT:

Delegacioni i Komunës së Gostivarit bëri homazhe në nder të ngjarjeve të 9 korrikut

Delegacioni i Komunës së Gostivarit bëri homazhe në nder të ngjarjeve të 9 korrikut

Në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni, Komuna e Gostivarit shënoi 19 vjetorin e ngjarjeve të 9 korrikut dhe bëri homazhe në vendprehjen e dëshmorëve të flamurit kombëtar.

Fillimisht, delegacioni qëndroi në fshatin Turçan të Vogël ku bashkë me familjaret dhe bashkëfshatarët vendosën lule të freskëta mbi varrin e dëshmorit Nazmi Saliu.

Delegacioni i Komunës së Gostivarit homazhet i vazhdoi në fshatin Forinë tek vendprehja e dëshmorit Shpend Iseini.


Në shoqëri të familjarëve dhe banorëve vendas, kryetari Nevzat Bejta u shpreh që përkujtimi i dëshmorëve të 9 Korrikut mbetet obligim institucional i Komunës së Gostivarit, nga shkaku se dëshmorët flijuan jetën e tyre për të mbrojtur flamurin kombëtar i cili tani pas 19 vitesh qëndron para objektit të Komunës së Gostivarit, pikërisht në vendin ku në vitin 1997 shteti e largoi në mënyrë të dhunshme.

“Sot është ditë e veçantë për shqiptarët e Gostivarit dhe rrethinës pasi jemi në datën 9 Korrik dhe ku në vitin 1997 qytetarët tanë u torturuan dhe ranë dëshmorët e parë për mbrojtjen e simbolit tonë kombëtar. Ne e kryejmë detyrën tonë si institucion për të përkujtuar dëshmorët dhe shpreh falënderim për mikpritjen nga familjet e dy dëshmorëve, Shpend Iseini dhe Nazmi Saliu. Dëshmorët sakrifikuan jetën e tyre për ardhmërinë e kombit shqiptar, dhe sot ne flamurin kombëtar e kemi të vendosur para Komunës, dhe aty do të ngele në përjetësi. Ne si përfaqësues institucioni të zgjedhur nga shumica e popullit, e kemi për obligim që të nderojmë dëshmorët e kombit, dhe me këtë familjet e tyre dhe gjithë veprimtarët e kombit që flijuan jetën për të mirën e kombit që i takojmë. Me mbështetjen e popullit shqiptar jemi të zgjedhur për të punuar në të mirë të shoqërisë sonë dhe e kemi për obligim që amanetin e dëshmorëve ta çojmë në vend. Koha është duke punuar në të mirën e shqiptarëve, dhe këtë proces nuk mund ta ndalojë askush”, u shpreh mes tjerash kryetari Nevzat Bejta.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe ministri Valdet Xhaferi, deputeti Jamin Sinani, këshilltarë komunal, si dhe drejtues institucionesh në nivel lokal dhe qendror. /Telegrafi/