LAJMI I FUNDIT:

Mbyllja e rrugës nga “Arbën Xhaferi” rrezikon humbjen e 500 vendeve te punës

Mbyllja e rrugës nga “Arbën Xhaferi” rrezikon humbjen e 500 vendeve te punës

Kompania “Xella L.L.C”, “Eskavatori” dhe “Dino”, rrezikojnë mbylljen e aktivitetit, si pasojë e mbylljes së rrugës së furnizimit të tyre me materialin e lëndës së parë, nga autostrada “Arbër Xheferi”, thuhet në njoftimin e këtyre tri kompanive, pas përpjekjes që kanë bërë sot për të protestuar.

Nga kompanitë kanë thënë se janë mbi 25 milionë euro investime të huaja dhe vendore, me mbi 500 punëtorë që mund të punojnë vetëm edhe për pak ditë me rezervat e lëndëve të para që kanë grumbulluar.

“Ato tashmë nuk e kanë të mundur të furnizohen, meqë autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, u ka mbyllur rrugën kryesore”, thuhet në njoftim.


Drejtuesit e këtyre kompanive, Samir Krasniqi nga “Xella”, Isa Rysha nga “Eskavatori” dhe Abedin Salihu nga kompania “Dino”, përkundër përpjekjeve të shumta të zgjidhjes së kësaj çështjeje, janë detyruar që bashkë me punëtorët dhe pajisjet e rënda të punës, të protestojnë në vendin ku u mbyllet rruga, mes fshatrave Smallushë e Dobratin të Komunës së Lipjanit.

“Jemi të interesuar që të kemi sa më shumë rrugë, por nuk lejojmë që me punimet që janë duke u zhvilluar, të mbyllen rrugët tona të operimit, pa gjetur alternativë”, tha Krasniqi. “Me mbylljen e rrugës, ne po detyrohemi të falimentojmë”.

Gjatë protestës së dhjetëra punëtorëve të tri kompanive të atakuara pas mbylljes së rrugës, Policia e Kosovës, ndonëse protesta ishte e paralajmëruar, nuk e ka lejuar makinerinë e rëndë të kompanive që të drejtohet në pikën e mbylljes së rrugës mes fshatrave Smallushë dhe Dobratin.