LAJMI I FUNDIT:

Si vdiq punonjësi i Komunës së Fushë Kosovës?

Si vdiq punonjësi i Komunës së Fushë Kosovës?

Punëtori i Drejtorisë së Financave në Komunën e Fushë Kosovës, Avdi Berisha, është gjetur i vdekur të hënën rreth orës 08:00 në mëngjes, por ende nuk ka të dyshuar për vdekjen e tij dhe organet e rendit akoma nuk kanë dhënë një version zyrtar se si ka ndodhur ngjarja.

Ali Topalli, zëdhënës në komunën e Fushë Kosovës, ka thënë për Info Magazine të Klan Kosovës se ende nuk ka një përgjigje definitive për këtë rast, ndonëse versione jo zyrtare dhe dyshime për vrasjen e 49 vjeçarit nga fshati Grabovc ekzistojnë.

“Kjo është një humbje e madhe. Ajo që dimë ne deri më tani është se ai është nisur nga shtëpia për të ardhur në punë. Ende nuk e kemi një përgjigje definitive, njësitet ende nuk kanë dhënë një rezultat. Tani për tani nuk mund të themi asgjë, ende kemi dyshime e dilema se çka ka mundur të ndodhë, prandaj nuk mund të themi asgjë”, ka thënë Topalli.


Ndërsa Fatlum Berisha, kushëri i të ndjerit, ka pohuar për Klan Kosovën se familjarët nuk e kanë as idenë më të vogël se kush ka mundur ta kryejë një akt të tillë, sepse i ndjeri nuk ka pasur probleme me askënd.

“Ai nuk ka pasur asnjë problem me askënd. Ai në Grabovc ka qenë njëri nga njerëzit më të respektuar ndaj as nuk e dimë se çfarë ka mundur të ndodhë”, ka thënë Fatlum Berisha.