LAJMI I FUNDIT:

Rriten blerjet online në Maqedoni

Rriten blerjet online në Maqedoni

Shitblerjet përmes internetit rriten si rrjedhojë e ndryshimit të shprehive të blerësve, pasi në këtë mënyrë blerësit vetëm një klik të “mausit” kursejnë të holla dhe para, njofton gazeta Koha.

Qytetarët e Maqedonisë se vjen e më shumë po blejnë përmes internetit. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti konsumatorët vendor kanë harxhuar gati pesë milionë euro për blerjet në internet, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Rritjen e tregtisë përmes internetit e vërtetojnë edhe të dhënat të cilat konfirmojnë se prej 1.6 milionë euro në vitin 2009, qarkullimi në vitin 2015 ka arritur në 18.4 milionë euro. Në vitin e kaluar më së shpeshti konsumatorët e Maqedonisë kanë blerë në internet pajisje sportive, veshmbathje, bileta për ngjarje të ndryshme kulturore si: koncerte, aranzhmane hotelesh, libra, revista, prodhime për amvisëri, artikuj ushqimor e kështu me radhë.

Njohësit e teknologjisë informatike shpjegojnë se rritja e madhe e tregtisë përmes internetit i detyrohet ndikimit të trendeve globale, që ngadalë por sigurt, pasqyrohen edhe në tregun vendor, si dhe ofertës në rritje të shërbimeve dhe prodhimeve që mund të blihen përmes internetit. “Shitblerjet përmes internetit rriten si rrjedhojë e ndryshimit të shprehive të blerësve, pasi në këtë mënyrë kursejnë të hollat. Gjithashtu me vetëm një klik të ‘mausit’, blerësit kursejnë edhe kohën e lirë që mungon në vitet e fundit për shkak të mënyrës moderne të jetesës. Kësaj ia shohin hairin jo vetëm konsumatorët, por edhe veprimtaritë e tjera siç janë: bankat, tregtarët, por edhe posta.


Duhet theksuar se Posta e Kanadasë para dhjetë vitesh kanë qenë në gjendje para kolapsit , ndërsa me rritjen e porosive përmes internetit tani ka përmirësuar për dhjetë herë punën e saj “, thotë eksperti i teknologjisë informatike Behar Haxhihamza. Sipas tij edhe oferta e përmirësuar e dyqaneve vendore ka ndikuar dukshëm në rritjen e tregtisë përmes internetit. Këtë e mbështesin edhe të dhënat që tregojnë se rreth 50 për qind e shitjeve përmes internetit e kryejnë tregtarët onlajn që ofrojnë lirime të ndryshme për blerje në grup. Ndryshimin gradual të shprehive të konsumatorëve në Maqedoni dhe orientimin e tyre ndaj shopingut në internet e tregon edhe oferta vendore prej më shumë se 300 shitore onlajn që ofrojnë shërbime dhe prodhime të ndryshme.

Faktor tjetër shtytës është edhe hyrja e PayPall si sistem global i pagesës në internet, që përveç se ju mundëson konsumatorëve nga Maqedonia qasje deri tek të gjithë tregtarët më të mëdhenj, ofron për konsumatorët edhe siguri më të madhe gjatës pagesës. Sipas njohësve të tregut, rritja e tregtisë përmes internetit është mbështetur edhe me gatishmërinë e sektorit të bankave që të ofrojnë servise për tregti onlajn, rritja prej më shumë se 68 për qind e disponueshmërisë së internetit në vend, si dhe rritjen shfrytëzuesve të telefonisë celulare, por edhe ndryshimi i shprehive të qytetarëve dhe kompanive për përdorimin e zgjidhjeve moderne teknologjike. Njohësit e këtij tregu vlerësojnë se ai ka një potencial të madh për rritje, duke marrë parasysh se gjenerata që rritet në rrjetet sociale është potencial që pritet të jetë një blerës i madh onlajn, si dhe aplikacioneve të celularëve që lehtësojnë blerjen onlajn. Porositë përmes internetit kanë rritur edhe numrin e dërgesave përmes internetit. Këpucët, veshmbathja, aparatet teknike, pajisjet për amvisëri janë vetëm një pjesë e sendeve të ndryshme që porositen nga jashtë përmes internetit dhe arrijnë te amvisëritë përmes Postës së Maqedonisë.

Kjo më së shumti i detyrohet rritjes së tregtisë së qytetarëve të Maqedonisë përmes shitores më të popullarizuar botërore të internetit “Ali ekspres”. Andaj rriten edhe dërgesat nga Kina, ndërsa se vjen e më shumë qytetarët përmes sporteleve të postës i pranojnë porositë e tyre. Internet tregtia kursen kohë dhe të holla pasi përmes shitoreve virtuale mund të gjenden prodhime me çmime më të lira seç ofrohen në shitoret tona. Në favor të rritjes së tregtisë së internetit, Agjencia e Postës propozoi në fund të vitit të kaluar të rritet kufiri për importin pa doganë të dërgesave për përdorim personal që qytetarët i porositën onlajn dhe ju dërgohen përmes postës, por për këtë nevojitet që të prononcohen dhe marrin vendim Ministria e Financave dhe Drejtoria e Doganave. Me një liberalizim të tillë, qytetarët do të kenë qasje më të lehtë deri tek tregu elektronik i mallrave për konsum të gjerë në botë, ndërsa nga ana tjetër do të mbështetet edhe zhvillimi i komunikacionit postar. Me fjalë të tjera kjo do t’u mundësonte qytetarëve që të kenë mundësi që përmes postës të blejnë mallra për përdorim personal, për të cilat nuk do të paguajnë doganë gjatë importit. Në raport me komunikacionin e udhëtarëve ku lejohet të importohen mallra në vlerë prej 350 euro pa pagesë të doganës, aktualisht nëse porositen prodhime përmes internetit që dorëzohen përmes postës kjo mund të bëhet pa pagesën e doganës nëse vlera e mallit nuk tejkalon 45 euro./Telegrafi/