LAJMI I FUNDIT:

Demarkacioni, jashtë seancës së ardhshme

Demarkacioni, jashtë seancës së ardhshme

Edhe pse ishte paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës se gjatë muajit qershor do të procedohet në Kuvend Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi për ratifikim, duket se në fillim të këtij muaji kjo nuk do të ndodhë.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, dhe ka caktuar rendin e ditës për seancën e 9 qershorit, por demarkacioni nuk është pjesë e agjendës. Megjithatë ligjvënësit opozitarë druajnë se kjo marrëveshje mund të kontrabandohet në Kuvend dhe të ngrihet si mocion, pa paralajmërim.

Anëtarja e Kryesisë së Kuvendit nga radhët e “Vetëvendosjes”, Aida Durguti, tha për ‘Zerin’, se nuk është në dijeni se Marrëveshja do të shkojë në seancën e radhës.


“Sidoqoftë, në momentin që ne njoftohemi për një gjë të tillë do të deklarohemi për medie rreth veprimeve që do t’i ndërmarrim. Nuk do të lejojmë ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi ngase humbja e mbi 8000 hektarëve të territorit të Kosovës është e papranueshme. Populli i Kosovës, përmes peticionit dhe protestave masive e ka deklaruar vullnetin e vet në lidhje me këtë marrëveshje dhe ne do ta mbrojmë këtë vullnet popullor me gjithë fuqinë tonë”, deklaroi ajo, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.

Në seancën e ardhshme të Kuvendit, do të shqyrtohen një varg projektligjesh. Kështu, pritet të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961); Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale; Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, sipas njoftimit të Kuvendit, do të shqyrtohen edhe: Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe; Projektligji për falimentimin dhe ai për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.