LAJMI I FUNDIT:

Kosova së shpejti me ligj për pagat

Kosova së shpejti me ligj për pagat

Shteti i Kosovës gjatë këtij viti pritet të bëhet me një ligj më të veçantë, ligjin për Pagat. Kjo shihet të jetë ndikuar nga Fondi Monetarë Ndërkombëtarë (FMN). Pasi që ky institucion ndërkombëtarë financiarë ka kërkuar nga Qeveria që deri në vitin 2019-të të mos ketë rritje të pagave më shumë se 4% në sektorin publik, shkruan Gazeta Fjala.

Duket se përgatitjet për ligjin e pagave tashmë kanë filluar.

Këtë e konfirmoj zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Faton Abdullahu. “Ligji në fjalë është në procedurë e sipër dhe dikasteret përkatëse janë duke kryer punën e nevojshme për ta quar procedimin tutje”.


“Ky ligj sipas të gjitha gjasave do të miratohet në këtë vit”, tha Abdullahu.

I pyetur nga Gazeta Fjala Abdullahu nuk ka treguar se çka saktësisht do të përmbaj ligji i pagave.

Qeveria e Kosovës edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2017-2019 e ka paraparë krijim e këtij ligji.
Në këtë kornizë shkruan se Qeveria është e përkushtuar të kufizojë punësimin në atë shkallë që është e nevojshme për ofrimin e të mirave dhe shërbimeve publike në mënyrë efikase dhe efektive.

Për më tepër aty shkruan se, në bashkëpunim me FMN-në Qeveria ka formuluar dispozita të nevojshme ligjore të cilat do të shërbej si mekanizma përkujdesje ndaj ngritjeve të faturës së pagave në sektorin publik.

“Përmes kësaj dispozite ligjore (rregulli mbi paga) është siguruar qe ngritja e faturës se pagave ne sektorin publik të jetë në harmoni me zhvillimin e gjithëmbarshme ekonomike në vend”, shkruan në kornizën për shpenzimet afatmesme.
Përmes këtij rregullimi ligjor synohet të sigurohet një stabilitet në kompensimin e shërbyesve në sektorin publik.

“Gjithashtu është siguruar që konkurrueshmëria në mes sektorit privat dhe atij publik për fuqinë punëtore të jetë e barabartë dhe kompensimi i tyre të jete i udhëhequr nga një faktorë i ngjashëm (rritja ekonomik)”, vazhdon më tej shpjegimi në planin e qeverisë.

Momentalisht Republika e Kosovës ka ligjin për pagat e shërbyesve civil i cili ka hyrë në fuqi që nga viti 2010. /Gazeta Fjala/Telegrafi/