LAJMI I FUNDIT:

11 OJQ propozojnë 11 Ligje në Maqedoni

11 OJQ propozojnë 11 Ligje në Maqedoni
Non-governmental organization Word Cloud Concept

11 organizata qytetare kanë propozuar, veç e veç, nga një ligj që duhet të ndryshohet. Ligjet e propozuar që duhet të ndryshohen kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut, siç është ruajtja e të dhënave personale, sanksionimi i gjuhës së urrejtjes, përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe ligje të tjera, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Elena Nakova nga organizata “Softueri i lirë” ka propozuar ndryshimin e ligjit për ruajtjen e të dhënave personale, pasi që sipas saj, me shpalljen e listës zgjedhore janë evidentuar dyshime se mund të keqpërdoren të dhënat e qytetarëve.

“Në formën elektronike të saj, vetëm me disa klikime mund të sigurohet e tërë lista zgjedhore. Pastaj KSHZ e ndryshoi atë. Por mund të kërkohen edhe mënyra tjera: duke shkruar numrin personal dhe emrin, paraqitet adresa e juaj, por edhe të gjitha të dhënat e atyre personave, të cilët jetojnë në atë lagje. Kjo është shkelje klasike e të drejtave të qytetarëve”, u shpreh për Tv21, Elena Nakova, Organizata “Softueri i lirë”.


Nga organizata “CIVIL”, kërkohet ndryshimi i ligjit për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes, posaçërisht nëpër media. Marija Tegovska nga kjo organizatë thotë se duhet të rregullohet më së miri mënyra e sanksionimit dhe ndalimi i emetimit të programeve që nxisin urrejtje.

“Mediat duhet ta rregullojnë atë, duhet të ekzistojnë sanksione konform ligjit për shërbime audio-vizuale. Mendoj që kjo indirekt do të ndikoj edhe tek mysafirët në studio, që të kenë kujdes për fjalorin e tyre. Kurse në emisionet e drejtpërdrejta, vet redaksitë e mediave duhet të gjejnë mënyrë se si ta menaxhojnë situatën”, tha Marija Tegovska, Organizata “CIVIL”.

Njëra nga iniciativat e propozuara për ndryshime ligjore është edhe ajo e organizatës HOPS e cila kërkon ndryshimin e ligjit për përdorimin e lëndës narkotike – kanabis, për qëllime mjekësore. Sipas kësaj organizate, ka pacientë që për shkaqe shëndetësore duhet të përdorin këtë bimë, por meqë nuk është e rregulluar me ligj, ata e paguajnë shtrenjtë nga tregu i nëntokës. Iniciativa për ndryshime ligjore është projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian, ndërsa të gjitha 11 propozimet për ndryshimin e ligjeve më pas do t’i dorëzohen institucionit ligjvënës./Telegrafi/