LAJMI I FUNDIT:

Kisha katolike në Ferizaj – të rrënohet?!

Kisha katolike në Ferizaj – të rrënohet?!

Kisha katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, sipas të gjitha gjasave do të rrënohet. Ky institucion fetar, sipas famullitarit Don Viktor Sopi, nuk i plotëson kushtet as për së afërmi për t’i zhvilluar aktivitetet e parapara.

Ai thotë se vjetërsia e objektit ka bërë që renovimet më mos të kryejnë punë. Për këtë fakt, Sopi tha se i ka njoftuar pothuajse të gjitha institucionet vendore dhe se po presin fonde për rrënimin e objektit apo ndërtimin e kishës së re.

“Sipas vlerësimeve që i kemi bërë, nuk është e mençur të bëhet një investim në këtë objekt i cili është ndërtuar në vitin 1927, me kontribut të besimtarëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë. Ky objekt nuk mundi t’i bëjë më rezistencë kohës. Kuptohet se objekti i tillë ka një vlerë artistike, kombëtare dhe kulturore, por restaurimi i tij do të kushtonte më tepër sesa të ndërtohet i ri”, tha Sopi.


Të rinovohet apo të ndërtohet e re?! Për këtë pyetje, përgjegjësit e kishës kanë kërkuar përgjigje edhe tek zyrtarët e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Edhe vlerësimi i tyre është që objekti i tillë është në rrezikshmëri të plotë dhe nuk supozohet që mund të rinovohet dhe të ketë një afat të gjatë renovimi i objektit. Deri më tash nuk kemi bërë ndonjë parallogarit se sa mund të kushtoj ndërtimi i ri i kishës, por jemi në korrespodencë me institucionet përgjegjëse”, tha Don Viktor Sopi.

Pavarësisht që punët për renovimin e objektit të kishës katolike tashmë kanë filluar, famullitari i saj tha se kisha është në dispozicion të besimtarëve dhe se në të po kryhen të gjitha ritualet e parapara. /TV TEMA/