LAJMI I FUNDIT:

Samiti franko-gjerman, Franca mbështet Gjermaninë për emigrantët

Samiti franko-gjerman, Franca mbështet Gjermaninë për emigrantët

Franca dhe Gjermania kanë shprehur edhe njëherë qëndrimet e tyre pro-emigrantëve gjatë samitit dypalësh franko gjerman. Presidenti francez, Fransua Hollande, deklaroi se do të mbështesë Kancelaren Merkel në pozicionin e saj pro strehimit të azil-kërkuesve teksa nënvizoi rëndësinë e implementimit të suksesshëm të marrëveshjes së firmosur më herët mes Bashkimit Europian dhe qeverisë së Ankarasë. Liderët diskutuan edhe në lidhje me çështje të tjera mjaft të rëndësishme përfshirë luftën kundër terrorizmit si dhe situatën në Ukrainë.

Presidenti francez, Fransua Hollande, ka deklaruar se shteti i tij do të vijojë të mbështesë politikat e Gjermanisë sa i përket emigrantëve. Delegacionet e dy vendeve u mblodhën në Francë në kuadër të samitit franko-gjerman, teksa shprehën edhe njëherë qëndrimet e tyre në lidhje me disa prej çështjeve më të nxehta të momentit. Gjatë konferencës së mbajtur për mediat, Hollande deklaroi se palët janë të vendosura që të mbrojnë zonën Schengen si dhe të implementojnë marrëveshjen e firmosur me herët me Turqisë:

“Sa i përket refugjatëve, ne kemi punuar me Gjermaninë në kuadër të zgjidhjes së problemit. Qëndrimet tona i kemi paraqitur edhe përpara Bashkimit Evropian dhe sot mund t’iu përsëris se jemi pro implementimit të marrëveshjes së firmosur me qeverinë e Ankarasë. Është shumë e rëndësishme që të ruajmë lëvizjen e lirë mes shteteve anëtare sikurse është mjaft e nevojshme që të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm”, ishin fjalët e Hollande.


Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Merkel e cila theksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjitha vendeve në kuadër të menaxhimit të krizës së azil-kërkuesve. Ajo shtoi se marrëveshja e firmosur me Turqinë është në rrugën e një implementimi të suksesshëm.

Liderët biseduan edhe në lidhje me luftën kundër-terrorizmit. Ata deklaruan se autoritetet ligjzbatuese evropiane duhet që të lehtësojnë procedurat e shpërndarjes së informacionit, për të parandaluar tragjedi të ngjashme me ato të Brukselit dhe të Parisit. Ndërkohë, sa i përket çështjes së Ukrainës, Merkel dhe Hollande nënvizuan se do të vijojnë përpjekjet për ta afruar Kievin zyrtar me Bashkimin Evropian, pavarësisht referendumit të qytetarëve holandezë të cilët u shprehën kundër një marrëveshjeje asocimi që po diskutohet për t’u firmosur me qeverinë ukrainase.