LAJMI I FUNDIT:

Edhe testi i vozitjes do të mbahet në vëzhgim të kamerës

Edhe testi i vozitjes do të mbahet në vëzhgim të kamerës

Testimi teorik dhe ai praktik për patentë shofer, tash e tutje do të bëhet nën monitorimin e kamerave. Inaugurimi i këtij projekti është bërë sot në njësinë e Patentë shoferëve në Prishtinë nga ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili ka parë nga afër testimin e sistemit të kamerave monitoruese në këtë qendër.

Krejt ky sistem po bëhet për shkak të ankesave që ka pranuar Ministria e Infrastrukturës se aty zhvillohej korrupsioni.

7


Ministri Zharku tha se me këtë sistem do të rritet transparenca dhe do të zvogëlohen dukurit negative.

Sipas tij, kjo do të ndikojë edhe në rritjen e sigurisë në komunikacion, sepse kandidatët do të kenë një përgatitje më profesionale.

Ai ka përmendur edhe testimin elektronik, për çka shpreson se do të fillojë të aplikohet së shpejti, sepse sipas tij do të jetë vendimtar për transparencën në këtë proces dhe kandidatëve nuk do t’ju duhet të presin për rezultat, por atë do ta marrin në mënyrë automatike.
“Po e bëjmë prezantimin e punës tonë që ka të bëjë me rritjen e transparencës dhe që kontribuon në rritjen e sigurisë në komunikacion. Ne së pari kemi filluar me montimin e kamerave nëpër salla ku mbahet testimi teorik, ndërsa javën e kaluar kemi filluar edhe me përdorimin e kamerave në testimin praktik…Përveç kësaj besoj se gjatë muajit prill do të fillojmë me një fazë shumë më të madhe të rritjes së kontrollit apo rritjes së cilësisë së testimit. Do të kalojmë në fazën e testimit elektronik, në prill besoj”, tha Zharku.

8

Për t’i instaluar këto kamera ministrisë i ka kushtuar gjithsej 25 mijë euro, ndërsa sipas Zharkut, vlera para-llogaritare e testimit elektronik, për çka edhe është hapur tenderi, do të arrijë deri në 500 mijë euro.

“Kamerat kanë kushtuar më lirë, është vullnet i ministrisë dhe qeverisë që të vendosim një rregull më të mirë dhe një transparencë më të madhe në këtë fushë, pasi që të gjithë jemi dëshmitarë që ka qenë fushë jashtëzakonisht shumë e përfolur”, tha Zharku.

Deri më tani raste të korrupsionit me patentë shofer janë transmetuar edhe nëpër media. Akterët institucional besojnë se ky sistem i ri i instalimit me kamerë do të ulë në masë të madhe rastet e tilla. /Telegrafi/