LAJMI I FUNDIT:

Sulmohet me koktej molotovi objekti i Gjykatës Themelore në Lipjan

Sulmohet me koktej molotovi objekti i Gjykatës Themelore në Lipjan

Objekti i Gjykatës Themelore Prishtinë, dega në Lipjan, mbrëmë është sulmuar me koktej mollotovi, ku si pasojë e kësaj në një zyre janë shkaktuar disa dëme materiale nga zjarri, si dhe para ndërtesës është dëmtuar parafangoja e veturës zyrtare Toyota, pronë e Gjykatës Themelore.

Sulmi ka ndodhur në ora 23:55, ku patrullat policore, njësia e hetimeve së bashku me njësitet tjera relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe e kanë kontaktuar punëtorin e sigurimit të Gjykatës, i cili ka deklaruar se persona të panjohur kanë gjuajtur koktej molotovi në drejtim të objektit të Gjykatës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia e zjarrfikësve Lipjan dhe Forenzika regjionale. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokuroria kompetente, përderisa njësitet policore janë duke kryer hetime intensive.