LAJMI I FUNDIT:

Princi Charles: Pajtimi dhe falja çojnë drejt një të ardhme më të mirë

Princi Charles: Pajtimi dhe falja çojnë drejt një të ardhme më të mirë

Princi i Uellsit, Charles, i ftuar në një konferencë ndërfetare në Prizren, duke kujtuar herën e parë që kishte vizituar Kosovën në vitin 1999, përçoi edhe njëherë mesazhin e tij për pajtim dhe vendosje të urave të bashkëpunimit mes popujve dhe feve në Ballkan.

Duke kujtuar gjendjen e Kosovës në atë kohë, Charles ripërsëriti edhe njëherë atë që tha në Parlamentin e Serbisë.


“Siç thashë në Beograd, nuk mund të lejojmë veten të bëhemi të burgosur të historisë”, tha Princi.

Ai tha se kishte kënaqësinë që sot të takojë qytetarë të ndryshëm që i përkasin religjioneve të ndryshme, duke u shprehur i brengosur me familjarët e të pagjeturve, nga të cilët ka dëgjuar pak nga rrëfimet e tyre.

“Çka dëgjova sot në Prishtinë më theu zemrën. Dëgjova njerëz që kanë humbur më të dashurit e tyre, e kam fjalën për personat e pagjetur. Do të dëshiroja të bëj më shumë rreth kësaj”, tha tutje Princi Charles.

Charles, duke aluduar në luftën e fundit në Kosovë dhe duke folur rreth vizitës së tij në Beograd, tha se njerëzit kanë mundësinë për të rindërtuar urat e bashkëpunimit të qëndrueshëm.

Pajtimi dh e falja, sipas tij, janë kryesoret që shpijnë drejt një të ardhme më të mirë.

“E kuptoj dhimbjen nëpër të cilën keni kaluar, por duhet të kalohet me ndërtimin e bashkëpunimit”, tha Charles.

Në fund, ai tha se është i lumtur që Britania e Madhe “luan një rol të vogël në rindërtimin e Kosovës”.