LAJMI I FUNDIT:

Histeroskopia – Endoskopia gjinekologjike

Histeroskopia – Endoskopia gjinekologjike

Histeroskopia është procedurë operative endoskopike që i lejon mjekut tuaj të arrijë qasje tek brendësia e hapësirës së mitrës në mënyrë që të diagnostikojë (zbulojë) ose edhe të trajtojë një patologji të mitrës.

Dr. Jehona Binishi – Hysa
Obstetër – Gjinekologe
+386 49 933-860
jehona.binishi-hysa@spitaliamerikan.com
www.spitaliamerikan.com

Kjo metodë realizohet duke e përdorur një tub me burim të dritës dhe kamerën që quhet Histeroskop nëpërmes të cilit hyhet nepër kanalin vaginal, pastaj nëpërmes qafës së mitrës dhe në brendësinë e mitrës dhe ekzaminohet duke u transmetuar e tërë pamja në monitorin përballë operatorit.

Histeroskopia mundet me qenë diagnostike dhe operative.


Histeroskopia diagnostike:
Zakonisht aplikohet për të diagnostifikuar probleme lidhur me brendësinë e mitrës si defektet e lindura të mitrës, septumet, mitrat dybrinjore, mitra arkuate, polipet endometriale, miomet intrakavitare, defektet e endometriumit si sindromen Asherman, gjendjen e tubave uterine etj. Me raste procedura e Histeroskopise mund të përdoret bashkë edhe me procedurën e Laparaskopisë si metodë plotësuese përderisa me laparaskop hyhet në kavitetin abdominal dhe shikohen mitra dhe tubat uterine nga jashtë për ndonjë anomali preekzistuese.

Histeroskopia operative:
Është procedure e cila aplikohet që të korrigjohet një gjendje jo normale në hapësirën e brendshme të mitrës e cila është detektuar gjatë histeroskopisë diagnostike, të cila procedura mund të bëhen edhe njëra pas tjetrës do të thotë diagnostikja e zbulon ndryshimin, kurse operativja e korrigjon dhe evitohet intervenimi i dytë në këtë rast.
Gjatë procedurës operative nëpërmes Histeroskopit futen instrumentet endoskopike varësisht nga problematika dhe nëpërmes tyre korrigjohet problemi.

Në cilat raste aplikohet histeroskopia operative?
– Polipet dhe fibroidet endometriale, janë patologji beninje të mitrës të cilat nëpermes histeroskopise largohen nëpërmes qafës së mitrës dhe vagjinës dhe dërgohen për analize histopatologjike.
– Adesionet ose ngjitjet e murit të brendshëm të mitrës që njihen edhe si Sindroma Asherman, krijohen sikur ura ngjitëse në mes të murit të mitrës dhe japin problem në qarkullimin menstrual normal të gjakut deri edhe në ndërprerjen totale të menstruacionit po ashtu edhe në infertilitet ndikojnë.
– Anomalitë e lindura të mitrës, septumet (perdet) uterine, mitrat arkuate (fundusi uterin i leshuar në formë V ose U), mitra dybrinjore, të gjitha këto defekte të lindura të mitrës korrigjohen me histeroskopi.
– Gjakderdhja jonormale nga mitra dhe shkaqet që qojnë deri tek zgjatja e gjakderdhjes menstruale si dhe gjakderdhja në mes të ciklit menstrual ose postmenopauzale janë çrregullime të cilat mund të diagnostifikohen dhe të korrigjohen me histeroskopinë endoskopike. Ablacioni endometrial është një procedurë operative e cila realizohet me metodat Histeroskopike për të shkatërruar shtresën e brendshme të mitrës-endometriumin me qëllim të trajtimit të gjakderdhjeve të shtuara nga mitra.

Benefitet e Histeroskopisë

Krahasuar me metodat tjera me invasive histeroskopia ka avantazhet e saj:
– Qëndrim me të shkurtër në spital
– Kohë më të shkurtër të shërimit
– Trajtimi medikamentoz postoperative kundër dhimbjes i ulët
– Evitim i histerektomisë
– Evitim i mundshëm i kirurgjisë së hapur abdominal

Sa është e sigurt Histeroskopia?
Është procedurë relativisht e sigurt por megjithatë si të gjitha llojet e intervenimeve edhe ajo ka komplikimet e saja të mundshme. Komplikimet shfaqën në 1% të rasteve dhe përfshijnë:
– Rreziqet e anestezionit
– Infeksionet
– Gjakderdhje e shtuar
– Lëndimet e qafës së mitrës, mitrës, zorrëve ose fshikjes së urinës
– Reaksionet e organizmit ndaj substancës që përdoret për të dilatuar mitren.

Kur duhet të aplikohet kjo procedure?
Koha më e përshtatshme për të realizuar Histeroskopinë është një javë pas ciklit menstrual sepse në këtë periudhe i jep pamjen më të mirë mjekut që të ketë qasje brenda mitrës.

Lloji i anestezionit që preferohet tek Histeroskopia?
Mundet me qenë lokale, regjionale ose gjenerale e përgjithshme.
– Anestezioni lokal: nënkupton mpirjen e vetëm një pjese të caktuar të trupit për një kohë të shkurtër
– Anestezioni regjional: nënkupton mpirjen e një pjese më të madhe të trupit për një periudhe kohore pak më të gjatë
– Anestezioni i përgjithshëm: mpirjen e tërë trupit përgjatë tërë kohës së intervenimit.
Lloji i anestezionit i cili aplikohet varet nga vendi ku përformohet histeroskopia në ambulantë apo në spital, si dhe nga lloji nëse është vetëm diagnostike nuk pritet të zgjasë shumë andaj bëhet në kushte ambulantorike mirëpo nëse kemi operative atëherë pacientja referohet të mos konsumojë ushqim fare dhe të bëhet në anestezion të përgjithshëm.

Si performohet (bëhet) Histeroskopia?
– Fillimisht bëhet aplikimi i anestezionit që të relaksoheni, varësisht nga lloji i anestezionit për të cilin ju bashkërisht me mjekun tuaj vendosni ta bëni.
– Pastaj bëhet dilatimi (zgjerimi) i qafës së mitrës që të mund të hyhet me Histeroskop që është një tub i trashë rreth 9mm.
– Me histeroskop hyhet nga vagjina juaj, pastaj në qafë të mitrës dhe arrihet ne hapësirën e mitrës.
– Gazi i dioksidit të karbonit ose tretje ujore e NaCl inserohet në hapësirën e mitrës që të bëhet dilatimi ose zgjerimi i saj dhe të pastrohet nga mukusi dhe gjaku që të jetë më e qartë pamja gjatë intervenimit.
– Burimi i dritës që buron nga fillimi i Histeroskopit i lejon mjekut po ashtu pamje të mirë të hapësirës së mitrës, hyrjes së tubave të fallopit si dhe kavitetit uterin dhe emitohet e tëra në monitor jashtë.
– Përfundimisht nëse ka nevojë për intervenim kirurgjik, një instrument i vogël futet në brendësi të histeroskopit dhe me po të njejtin instrument bëhet resekimi ose korrigjimi i defektit në brendësi të mitrës.

Koha e realizimit të procedurës Histeroskopike mundet me qenë prej 5 minuta deri në 1 orë. Gjatësia e kohës së operimit varet nga procedura a është diagnostike apo operative apo nëse bëhet edhe laparaskopia në të njëjtën kohë si metodë shtesë e intervenimit por në përgjithësi kjo metodë merr kohë më pak se çdo metodë tjetër operative.

Çka mund të pret pacientja pas procedurës në fjalë?
Pas procedurës mund të kenë disa dhimbje të fundit të pjesës së fundme të barkut sikur të ciklit menstrual ose edhe një gjakderdhje të lehtë nga vagjina për 1 deri ne 2 ditë. Mund të ndiejnë edhe dhimbje në kraharor që është si pasojë e gazit që përdoret gjatë procedurës. Nuk është edhe e rrallë të ndiejnë edhe mundim dhe vjellje pas intervenimit.

Duhet të kontaktoni mjekun tuaj nëse ndieni:
– Ethe
– Dhimbjet e shpeshta abdominale
– Gjakderdhje profuza vaginale ose sekrecione

Qëndrimi në spital për një natë, i domosdoshëm apo jo?
Histeroskopia konsiderohet intervenim i lehtë kirurgjik i cili zakonisht nuk kërkon hospitalizim por në raste të veçanta si reaksionet ndaj anestezionit rekomandohet qëndrimi një natë dhe përcjellja e shtatzënisë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Kalo në kategori