LAJMI I FUNDIT:

Barcamp Gjakova #10

Barcamp Gjakova #10

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week), pas një pauze të gjatë, organizohet Barcamp Gjakova #10.

Të shtunën, më 22 Nëntor 2014, Komuniteti Aktiv Qytetar organizon konferencën jozyrtare të radhës, BarCamp Gjakova #10. Nëpërmjet këtij aktiviteti synohet prezantimi i ideve, inovacioneve dhe diskutimi i hapur rreth çështjeve të ndërmarresisë dhe zhvillimit të biznesit në Kosovë. aktivitet të mbahet në Gjakovë, duke filluar nga ora 17.00.

Në BarCamp Gjakova #10 do të ketë tema të larmishme për diskutim ku folësit do të ndajnë eksperiencën e tyre. Me këtë rast mund të përmenden Fatos Axhemi, Jeta Pajaziti dhe Visar Lluka.


– Fatos Axhemi, nga Gjakova, me profesion ekonomist: Me përvojë mbi dhjetëvjeçare në kompani të ndryshme në sektorin komercial dhe financiar. Kryesisht i përfshirë në ngritje të kapaciteteve dhe menaxhim të ekipeve shitëse dhe promovuese. Gjithashtu, i angazhuar si konsulent në projekte të ndryshme. Aktualisht është drejtor ekzekutiv i Qendrës Inovative të Gjakovës – JIC. Fatosi do të flas për rolin dhe funksionin e Jakova Innovation Center, për mundësitë për zhvillim dhe nxitjen e ideve te reja sipërmarrëse.

– Jeta Pajaziti ka përfunduar magjistraturën në Administratë Publike në Carleton University, në Otavë, të Kanadas, si dhe fakultetin në Ekonomi Politike Ndërkombëtare dhe Admnistrim Biznesi në Trent University, në Peterborough të Kanadasë. Gjatë studimeve, dhe më pas, Jeta është marrë me një sërë aktivitetesh vullnetare, përfshirë udhëheqjen e Shoqatës së Studentëve Ndërkombëtarë në Trent, anëtarësimin në Klubin Rotarian Prishtina Dardania, dhe aktivitete tjera me të rinjtë. Jeta është kthyer në Kosovë para dy vitesh dhe deri më tani është angazhuar në instituting GAP si hulumtuese, në MDA si koordinatore e projekteve dhe në ePayTech, si udhëheqëse e zhvillimit të biznesit dhe menaxhere e qendrës PRAKTIK. Në BarCamp Gjakova Jeta do të prezantojë hapjen e qendrës së trajnimeve PRAKTIK dhe përvojat e saj si ndërmarrëse e re.

– Visar Lluka është ndër biznesmenët më te suksesshëm në Kosovë. Ai është drejtor i kompanisë TEKNIKU. Kompania Tekniku është themeluar ne vitin 1989 dhe është ndërmarrja më e vjetër në Kosovë që merret me pajisjet e mbrojtjes nga zjarri. Sot TEKNIKU është kompani prijëse në tregun kosovar në furnizim me aparate zjarrfikëse, pajisje zjarrfikëse dhe të mbrojtjes personale, si dhe mirëmbajtje të aparateve dhe pajisjeve zjarrfikëse. Po ashtu, TEKNIKU është kompani e cila mbështet dhe aplikon konceptet inovative në po thuajse të gjitha proceset e biznesit. Pas një përkushtimi të gjatë për të krijuar dhe ruajtur kualitetin, sot TEKNIKU është i gatshëm të ofrojë produkte dhe shërbime në përputhshmëri me normat evropiane. Ne Barcamp Gjakova Visari do të prezantojë eksperiencën e tij në themelimin, zhvillimin dhe maturimin e biznesit ndër dekada.

Vendi ku do të mbahet ky aktivitet është DEL House në Gjakovë.

Komuniteti Aktiv Qytetar (KAQ) nga Gjakova ka qëllim që t’i bashkojë qytetarët aktivë, profesionistët, artistët dhe ndërmarrësit e rinj për të kontribuar, si dhe për bashkëpunuar në krijimin e ideve, projekteve, trajnimeve profesionale, ngjarjeve kulturore dhe artistike në qytetin e Gjakovës.

Barcamp Gjakova mbështetet nga IPKO Foundation. /Telegrafi/