LAJMI I FUNDIT:

Java Globale e Ndërmarrësisë po mbahet edhe në Kosovë

Java Globale e Ndërmarrësisë po mbahet edhe në Kosovë

Nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Innovation Centre Kosovo (ICK), për herë të dytë është nikoqire e Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW) në Kosovë. Kjo javë shënohet përmes aktiviteteve të ndryshme të cilat i japin përkrahje frymës ndërmarrëse në Kosovë. GEW ka filluar me datën 17 nëntor dhe do të përfundoj me datën 23 nëntor.

Dita e parë (17 nëntor) e GEW u hap zyrtarisht në një ambient jo-formal, ku të gjithë partnerët dhe përkrahësit u mblodhën për një mëngjes festiv në restoranin A&A. Më pas, Kolegji Universum, si anëtar i mekanizmit Monitorues Global të Ndërmarrësisë, ka mbajtur prezentimin “Monitoruesi Global i Ndërmarrësisë – Fakte të Shpejta për Kosovën”. Duke vazhduar me punëtorinë nga KOSBAN – Rrjeti Kosovar i Engjujve të Biznesit, të cilët u dhanë mundësinë shumë të rinjëve të zhvillojnë shkathësitë e tyre të prezentimit të ideve të biznesit. Njëkohësisht, pas punëtorisë, pjesëmarrësit e vunë në praktiktë atë që mësuan duke prezentuar idetë e tyre para një grupi të investitorëve. Gjatë kësaj dite organizata jo-qeveritare e Alumnive Kosovarë të Shteteve të Bashkuara (KUSA), po ashtu dhe Shoqata Kosovare për Teknologji Informative – Kosovo ICT Association mbajtën trajnime në fusha shumë të rëndësishme për ndërmarrësi. Dita e gjatë u përmbyll në një atmosferë relaksuese gjatë “Rock Entrepreneurial Monday” ku nën tingujt e muzikës në Morena Bar, moderuar nga Mergim Cahani, u diskutuan aspektet e ndryshme të Marketingut Tradicional në krahasim me Marketingun Dixhital.

Dita e dytë (18 nëntor) ka filluar me trajnimin e mbajtur nga Qendra për Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekzekutiv – CEED në temat: 1. Zhvillimi i Produkteve, 2. Rritja e Biznesit dhe Analizat, 3. Ndërtimi dhe Organizimi i Ekipit Udhëheqës. Më pas, Programi për Promovimin e Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla –
KOSME, së bashku me Këshillin e Konsulentëve për Biznes – BCC, kanë prezentuar skemën përkrahëse përmes voucherëve. Duke vazhduar me ditën e dytë të trajnimeve nga organizata jo-qeveritare e Alumnive Kosovarë të Shteteve të Bashkuara – KUSA në temat: Qëndrushmëria e bizneseve, sfidat financiare dhe rëndësia e marketingut. Ndërsa dita ka përfunduar me takimin e shumë të rinjëve gjatë “Business Tuesday” (të martet biznesore) ku është diskutuar se çfarë mund të bëhet pas fazës së inkubimit. Menaxheri i Inkubatorit të ICK-së, z. Safet Rama prezentoj punën e bërë me shumë ekipe deri tani, ndërsa z. Ardian Jashari, njëri nga udhëheqësit e Fondacioni i MDA-së prezantoj mundësitë që ata ofrojnë për bizneset e reja. Përfundimisht Prof. Asoc. Dr. Blerim Rexha dha një fjalim insipirues për ndërmarrësit e rinjë. Dita u përmbyll, me shpërndarjen e çertifikatave të diplomimit të ekipeve nga Inkubatori i ICK-së, nga drejtori ekzekutiv Uranik Begu, ku po ashtu, u bë thirrja e aplikimeve për fazën tjetër të inkubimit.


Dita e tretë (19 nëntor) ka shënuar Ditën Ndërmarrëse të Grave. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga bërë hapjen duke mbajtur një fjalim inspirues dhe inkurajues i cili ka bërë thirrje që fryma ndërmarrëse të fuqizohet në Kosovë. Figura të ndryshme të rëndësishme të shoqërisë së Kosovës, të cilët drejtpërdrejtë përkrahin ndërmarrësin, po ashtu dhe gratë ndërmarrëse, kanë qenë pjesë e diskutimeve të frytshme të kësaj dite. Përveç tjerash, u prezantuan edhe storje të suksesit të bizneseve të ndryshme nga gra ndërmarrëse. Gjatë kësaj dite u bë një gërshetim i vlefshëm për ndërmarrësin kosovare, ku gjatë drekës rrjetizuese, shumë ndërmarrëse të reja patën mundësinë të takohen, konsultohen dhe sigurojnë bashkëpunim potencial me donatorë, investitorë, ndërmarrëse tjera shumë të suksesshme dhe ekspertë nga fusha të ndryshme kyçe për bërje të biznesit.

Vlen të përmenden disa citate nga kjo ditë: “Ne na duhet që e gjithë shoqëria të kontriboj në ekonomi, përndryshe nuk do të ia dalim” – Ambasadori i Norvegjisë për Kosovë, Jan Braathu

“Duhet ta kthejmë vëmendjen kah individët dhe inovacioni. Duhet ta kthejmë besimin se secili ndërmarrës apo ndërmarrëse e re mund të jetë krijues jo vetëm i vendit të punës së tij apo saj, por edhe të punësoj të tjerët përreth. Duhet ta ndryshojme qasjen nga koncepti ‘Kur do vijnë fabrikat qe ne të kemi punë’ në konceptin ‘ne jemi ata që i krijojmë vendet e punës” – Kryetarja e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari Lila

“Unë e dua dhe respektoj shumë burrin tim, mirëpo kur na larguan nga puna, ai nuk kishte shkathësi të adaptohej në situatën e re. Me pak para që kishim, talent dhe shumë punë e përkushtim, me fillimin e një biznesi të vogël, unw morra udhëheqjen financiare që të siguroja familjen tonë” – Profesoreshë e Ekonomisë, Ndërmarrëse, Ish-Ministre, Justina Shiroka-Pula. /Telegrafi/