LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Milionat e veturave do të shkojnë për Kontratën Kolektive

Hoti: Milionat e veturave do të shkojnë për Kontratën Kolektive

Avdullah Hoti i LDK-së e quan vit sfidues vitin 2014, jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për skenën politike, duke pasur parasysh ngërçin që pamundësoi krijimin e institucioneve për afër gjashtë muaj. Ministri i ri i Financave megjithatë shprehet i kënaqur që viti u përmbyll me një situatë krejt tjetër, pas themelimit të institucioneve të reja nga koalicioni PDK – LDK.

“Në ata muajt e negociatave dhe bisedave të ndryshme dhe mos-ndërtimit të institucioneve, u pa që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës kanë nevojë të ndryshohen bukur shumë”, thotë ai.

Hoti, vlerëson se Buxheti i vitit 2015 nuk parasheh rritje të pagave prej 25 për qind.


“Përfaqësuesit e sindikatave i kemi takuar te kryeministri dhe ua kemi bërë të qartë mundësitë që ka Qeveria e Kosovës për këtë rritje prej 25 për qind të pagave. Ne kemi trashëguar një buxhet prej Qeverisë së kaluar. Edhe për shkak të afateve ligjore shumë të shkurta, edhe për shkak të faktit që shumica e buxhetit veç ka qenë e kontraktuar, s’kemi pasur mundësi të bëjmë ndryshime në atë buxhet”, theksoi Hoti.

Duke folur për shpenzimet qeveritare, Hoti thotë se Qeveria ka vendosur që gjatë vitit 2015 të mos ketë asnjë shpenzim për blerjen e veturave të reja, mobileve, apo projekteve që nuk janë shumë të nevojshme në situatën të cilën gjendet Kosova.

“Ne kemi kursyer nga aty 14.5 milionë euro. 11 milionë euro prej tyre shkojnë për të filluar zbatimin e një pike të kontratës kolektive. Një pikë e rëndësishme është e pagesës së përvojës së punës prej 0.5 për qind të pagës për çdo vit të përvojës së punës. Në këtë përvojën e punës do të llogaritet edhe përvoja e punës para vitit 1999. Të martën e kemi shprehur para sindikatave që kemi nevojë për mbështetjen e tyre për të kompletuar dokumentacionin për secilin punëtor sa i përket përvojës së punës dhe të fillojmë sa më parë me pagesën e përvojës së punës”, shtoi ai.

Buxhetin e vitit 2015 Hoti e quan buxhet të mundësive. Thotë se do të përpiqen ta përmirësojnë atë në rishikim, edhe pse nuk beson se do të ketë ndryshime të mëdha brenda vitit që po vjen.

“Unë e quaj buxhet të mundësive. E dyta e quaj buxhet të disbalanceve që ka pasur ky vend tash e sa muaj, në kuptimin dhe mënyrën se si është shpërndarë buxheti. Në Buxhetin e vitit 2016, kur ta përgatisim, ai do të jetë buxhet që do të reflektojë prioritetet e kësaj Qeverie”, deklaron Hoti.