LAJMI I FUNDIT:

Remitencat, 214 milionë euro

Remitencat, 214 milionë euro

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se remitencat në Kosovë në tremujorin e tretë 2014 ishin 214 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 9.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas BQK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2014 deficiti i llogarisë rrjedhëse ishte 91.8 milionë euro, që paraqet një rënie prej 7.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.

“Përveç llogarisë së mallrave, e cila në vazhdimësi ndikon në rritjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse, të tre komponentët e tjerë të llogarisë rrjedhëse kanë ndikuar pozitivisht në zvogëlimin e deficit. Deficiti i llogarisë së mallrave shënoi vlerën 582.4 milionë euro dhe shprehur në terma relativ ishte 5.5 për qind më i lartë se në tremujorin e tretë të 2013. Llogaria e shërbimeve vazhdon të shënoi bilanc pozitiv, vlera e së cilës në tremujorin e tretë 2014 arriti 137.9 milionë euro (124.1 milionë euro në TM3 2014)”, thuhet në raportin e BQK-së.


Të ardhurat parësore në tremujorin e dytë 2014 shënuan vlerën 19.8 milionë euro dhe kjo vlerë është për 17.8 milionë euro më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Llogaria e të ardhurave dytësore mbetet kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Në tremujorin e tretë 2014, llogaria e të ardhurave dytësore shënoi vlerën 332.9 milionë euro, që paraqet një rritje prej 2.1 për qind nga tremujori i tretë i vitit 2013. /Telegrafi/