LAJMI I FUNDIT:

Prishtina humb nga grantet qeveritare 2 milionë euro projekte

Prishtina humb nga grantet qeveritare 2 milionë euro projekte

Afërsisht 2 milionë euro suficit është bilanci i shpenzimit të buxhetit Komunal të Prishtinës në vitin 2014. Këto mjete llogariten të jenë të humbura, pasi që i kthehen Qeverisë së Kosovës.
Ato i përkasin grandeve qeveritare dhe nëse nuk harxhohen brenda vitit fiskal, nuk mund të llogaritet më në to. Ndryshe është më mjetet vetjake, të cilat edhe nëse nuk shpenzohen barten për vitin vijuese, që do të thotë se mund të përdoren për projekte.

Ende s’është bërë raporti përfundimtar i shpenzimit të buxhetit 2014 në Komunën e Prishtinës, por nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, e ka pohuar këtë fakt, megjithëse ka shfaqur kënaqësi që nuk kanë mbetur më shumë mjete suficitare.

Madje, në kuptimin e shpenzimit të buxhetit, Sejdiu e ka krahasuar qeverisjen njëvjeçare të LVV-së me atë të LDK-së. Sipas tij, komunës sivjet i kanë shkuar suficit afër dy milionë euro, “aq sa i kishin tepruar edhe qeverisjes së LDK-së në vitin 2013, pas 14 vjetëve përvojë në fushën e përdorimit të buxhetit”. /Koha Ditore/Telegrafi/