LAJMI I FUNDIT:

T’ua mundësojmë bizneseve të arrijnë më të mirën

T’ua mundësojmë bizneseve të arrijnë më të mirën

Leonora Kusarin, menaxhere e ekipit të BERZH-it për përkrahjen e bizneseve në Kosovë gjatë një interviste ka thënë se që kur kanë filluar punën në Kosovë në vitin 2005, kanë ndihmuar në përmirësimin e performancës së mbi 515 kompanive nga industri të ndryshme. Për më shumë, përfituesit tanë, një vit pas kompletimit të projektit, kanë pasur mesatarisht rritje të qarkullimit prej 46 për qind, rritje të produktivitetit prej 26 për qind, janë krijuar 893 vende të reja të punës dhe janë tërhequr investime të jashtme prej 22.7 milionë eurosh.

Cili ka qenë aktiviteti juaj që nga themelimi e deri më tani?
Kusari: Aktiviteti ynë është promovimi dhe nxitja e shfrytëzimit të shërbimeve këshilluese nga bizneset në Kosovë për të tejkaluar sfidat me të cilat ata ballafaqohen dhe për të arritur në mënyrë sa më të efektshme zhvillimin dhe realizimit më të mirë të potencialit të tyre në treg.
Rrjeti ynë i konsulentëve lokalë ofron këshilla të biznesit në shumë fusha, duke përfshirë marketingun, menaxhimin e cilësisë, strategjinë, teknologjinë informative dhe zgjidhjet inxhinierike. Për më tepër, ekspertët tanë nga industri të ndryshme ndajnë përvojat e tyre unike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për të ndihmuar bizneset të ndërmarrin hapat e nevojshëm në zhvillimin e tyre të mëtejmë.
Projektet tona asnjëherë nuk janë të standardizuara. Ne angazhohemi me menaxhmentin e kompanisë për të identifikuar saktësisht nevojat dhe pastaj përshtasim këshillat tona për të adresuar ato nevoja. Përmes projekteve tona, bizneset mësojnë se si të shfrytëzojnë konsulentët dhe të shohin rezultatet dhe ndryshimet që ndodhin nga puna e tyre, por nga ana tjetër edhe konsulentët zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë e tyre përmes angazhimit në praktikë.

Si i veni në praktikë të gjitha këto?

Kusari: Bizneset që janë të interesuar në ofrimin e këshillave mund të na kontaktojnë në zyrën e BERZH-it apo përmes emailit. Ne ndihmojmë biznesin të vendosë mbi fushën e këshillës që do të jetë më e dobishme dhe të përcaktojnë projektin. Ne gjithashtu mbështesim kompaninë gjatë gjithë projektit, për të siguruar se çdo gjë është duke ecur mirë. Falë donatorit tonë, Fondit Special të Aksionerëve të BERZH-it, ne mund të subvencionojmë koston e këtyre projekteve të konsulencës. Grantet tona varen nga lloji i këshillës dhe madhësisë së biznesit në fjalë.


Ne po ashtu ofrojmë një shumëllojshmëri të mundësive për konsulentët. Duke filluar nga kurset se si të krijohet një biznes dhe si të mësohen aftësitë thelbësore të konsulencës, si të përmirësojnë marketingun e shërbimeve të tyre, si të bëhet diagnostifikimi i sfidave të bizneseve e deri te menaxhimi i projekteve.

Ne gjithashtu ju kemi mundësuar konsulentëve të zgjerojnë shërbimet e tyre me trajnime të specializuara në fusha teknike si menaxhimi dhe auditimi i cilësisë, vlerësimi i aseteve dhe i biznesit, si dhe të çertifikohen me standardet më të larta ndërkombëtare në fushën e menaxhimit dhe marketingut.

Sot, rrjeti ynë i konsulentëve liston mbi 120 konsulentë lokalë dhe ky numër është në rritje të vazhdueshme. Po ashtu, kemi qasje në mbi 1,000 ekspertë industrialë ndërkombëtarë të cilët janë të gatshëm për t’i asistuar bizneset kosovare me njohuritë e tyre nga përvoja ndërkombëtare.

Cilat janë arritjet tuaja të cilat do t’i veçonit konkretisht në përkrahje të bizneseve?
Kusari:
Që nga fillimi i punës sonë këtu në mars të vitit 2005, falë kontributit të donatorëve si Bashkimi Evropian, Fondi i Bashkëpunimit Teknik të BERZH-Biznesi i Tajvanit, Fondi Special i Aksionarëve të BERZH-it, shtetet si Holanda, Italia, Portugalia dhe donatorë të tjerë bilateralë, si dhe falë punës së ekspertëve të angazhuar lokalë dhe ndërkombëtarë, kemi ndihmuar në përmirësimin e performancës së mbi 515 kompanive nga industri të ndryshme. Për më shumë, përfituesit tanë kanë pasur mesatarisht rritje të qarkullimit prej 46 për qind, rritje të produktivitetit prej 26 për qind, janë krijuar 893 vende të reja të punës dhe janë tërhequr investime të jashtme prej 22.7 milionë eurosh. Këto rezultate bazohen në indikatorët të cilët i masim një vit pas kompletimit të projektit.
Por mbi të gjitha rezultati i përkrahjes sonë shihet në përmirësimin e gjithmbarshëm të veprimit të kompanive, të cilat e shohin rëndësinë e konsulencës profesionale dhe rëndësisë që ka në zhvillimin e gjithmbarshëm të biznesit. Kjo më së miri mund të vërehet nga sofistikimi i vazhdueshëm i kërkesave që vijnë nga kompanitë, të cilat janë shumë profesionale, më specifike dhe me objektiva të menduara gjithnjë e më mirë. Shumica e bizneseve me të cilat ne punojmë asnjëherë nuk kanë punuar me një konsulent para, por, deri në fund të projektit, 96 për qind e tyre thonë se do të punojnë me ta përsëri.

Bazuar në përvojën tuaj në këtë fushë, me çfarë problemesh ballafaqohen bizneset kosovare sot?
Kusari:
Problemet me të cilat ballafaqohen bizneset kosovare janë të ndryshme. Ka biznese që nuk shfrytëzojnë as gjysmën e kapaciteteve të tyre. Edhe pse kanë teknologjinë më bashkëkohore dhe cilësi të lartë të produktit, njohuritë e tyre mbi potencialin e tregut janë të kufizuara dhe përpjekjet për gjetjen e tregjeve janë josistematike.

Ka biznese që nuk kanë informata të sakta mbi profitabilitetin e një produkti ose edhe biznesit si tërësi; s’kanë sistem të mirëfilltë për raportimin e shpenzimeve dhe atë financiar, gjë që komplikon dukshëm vendimmarrjen.
Ka biznese që janë entuziaste në lansimin e produkteve të reja, por s’kanë njohuri në krijimin e një produkti strategjik.

Ka biznese që operojnë në tregje të jashtme, por që iu nevojitet të investojnë vazhdimisht në cilësinë e produktit dhe monitorimin e procesit nga lënda e parë tek produkti final, ose ta përshtasin konformitetin e produktit të tyre me direktivat relevante të BE-së.
Ka ndërmarrës me ide brilante, por që iu nevojitet përkrahje për shndërrimin e idesë në biznes dhe përzgjedhjen e duhur të burimeve të financimit.
Në të gjitha rastet, angazhimi i një konsulenti apo eksperti do të ofronte mundësi që këto sfida të tejkalohen, sepse ne ofrojmë ekspertizë pothuajse në të gjitha këto fusha. Në të njëjtën kohë kemi edhe shumë shembuj të atyre kompanive që kanë ditur të shfrytëzojnë këto kapacitete dhe kanë arritur të zhvillohen në mënyrë shumë më produktive. Prandaj ne u bëjmë thirrje të gjitha kompanive që të shfrytëzojnë këtë mundësi sepse në një botë të globalizuar dhe në një ekonomi të ndërvarur, asnjëherë nuk mund të mjaftohesh me kapacitete vetanake sepse konkurrenca nuk e bën një gjë të tillë.

Duke pasur parasysh që sigurimi i financimit ka qenë një problem i vazhdueshëm për bizneset kosovare, dhe duke pasur parasysh që ju jeni pjesë e BERZH-it, si mund të përkrahni bizneset në këtë drejtim?
Kusari:
Si bankë, ne e dimë se sa të rëndësishme janë financimet për zhvillim. BERZH ka investuar 91 milion euro në Kosovë, dhe 77 për qind e këtyre investimeve janë në sektorin privat. Duke bërë një hap prapa, futja e praktikave më të mira ndërkombëtare në kontabilitet dhe menaxhim financiar, planifikimi strategjik, forcimi i kapitalit njerëzor dhe ekspertizës, rritja e inovacionit në bizneset tashmë inovative dhe ato tradicionale, përputhja me standardet e kërkuara për eksport, janë disa nga këshillat që ofrojmë për të përmirësuar aftësitë e biznesit dhe për t’i përgatitur ata për të tërhequr financimet e nevojshme në mënyrë që ato të rriten. Ne tanimë kemi shembuj suksesi të kompanive që kanë përfituar edhe nga financimi i BERZH-it, prandaj këto praktika të mira duhet të merren si shembuj inkurajues edhe nga kompani të tjera të cilat synojnë rritjen e aktivitetit të tyre përmes financimit nga institucione financiare, qoftë BERZH apo ndonjë institucion financiar komercial.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Kusari:
Si iniciativë e veçantë që pritet të lansohet në fillim të vitit 2015 do të përmend programin për Përkrahjen e Grave në Biznes përmes qasjes së integruar të njohurisë dhe financave. Tashmë është dëshmuar shpirti ndërmarrës i grave të Kosovës, prandaj edhe ne e kemi parë të arsyeshme që të japim kontributin tonë në këtë drejtim.

Duke u bazuar në histori suksesi të asistimit në zhvillimin e kompanive ne do të vazhdojmë edhe më tej t’iu ofrojmë ndihmë bizneseve për të përmirësuar performancën e tyre në mënyrë që ato të bëhen sa më konkurrente jo vetëm për tregun e brendshëm, por edhe atë të jashtëm. Si rrjedhojë do fokusohemi më shumë në projekte që promovojnë eksportin dhe inovacionin, rrisin efikasitetin e menaxhimit dhe do shërbejmë si katalizatorë për sigurimin e financave.

Po ashtu do vazhdojmë të ofrojmë programe profesionale dhe trajnime teknike për konsulentët lokalë, siç është efikasiteti i energjisë dhe promovimi i eksportit, sepse duke krijuar një bazë të fortë të ekspertizës lokale, ne jemi të sigurt se përfitimet e punës sonë do të jenë të qëndrueshme edhe në të ardhmen. /Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

Ekonomi
Unisolar - Investimi më i zgjuar ekonomik që mund të bëni!

Unisolar - Investimi më i zgjuar ekonomik që mund të bëni!

Ekonomi
Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Ekonomi
Kalo në kategori