LAJMI I FUNDIT:

Bizneset indiane të interesuara për të investuar në Kosovë

Bizneset indiane të interesuara për të investuar në Kosovë

Një delegacion i bizneseve nga India të kryesuar nga Harpret Singh, kanë vizituar Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), ku janë pritur nga kryetari Agim Shahini dhe biznese të shumta vendore. Kjo vizitë e delegacionit Indian është bërë me qëllim të gjetjes së mundësive për investimet indiane në Kosovë në disa fusha.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, i informoi bizneset indiane lidhur me kushtet dhe mundësitë e mira që ofron Kosova për bërje të biznesit dhe investime, e të cilat janë shumë më të favorshme se sa në vendet tjera të rajonit. Sipas tij, vendi ka avancuar mjaft pozitivisht në legjislacion në krahasim me vendet tjera, gjë e cila ka ndikuar në ardhjen e shumë investitorëve të huaj.

“Derisa India është një fuqi, në anën tjetër Kosova edhe pse një vend i vogël ka potenciale të mëdha për investime të huaja nga ku mund të eksportohet edhe në vendet dhe tregjet për rreth. Ju ftojmë që të investoni në Kosovë, sepse pos kushteve shumë të favorshme, mund të shfrytëzoni vendin tonë edhe për prodhim dhe eksport drejt vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, që janë afër dhe me interes të madh për investitorët indian”, tha Shahini.


Ai shtoi se pos politikave fiskale të favorshme edhe siguria e investimeve është e lartë, pasi që pos forcave vendëse të sigurisë për këtë kujdesen edhe forcat policore e ushtarake të NATO-së e që janë nga shumë vende të botës.

Po ashtu, e rëndësishme për investitorët e huaj është se vendi ka popullatën më të re në Evropë e më gjerë dhe të aftë profesionalisht për punë.
Nga ana tjetër, Harpret Singh, përfaqësues i bizneseve nga India, tha se janë të lumtur që janë në shtetin më të ri në Botë për të eksploruar mundësitë dhe potencialet për investime. “Shpresojmë se së shpejti India do të nisë me rritjen e bashkëpunimit bilateral me Kosovën dhe gjetjen e mundësisë për investime konkrete”, tha Singh.

Po ashtu, bizneset indiane u interesuan më shumë për investime në fushën farmaceutike, atë të IT-së dhe ushqimit. Ata kanë falënderuar për pritjen dhe informimin nga institucionet shtetërore si Ministrin e Punëve të Brendshme, Tregtisë dhe Industrisë, si dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit si AKB dhe OEK. /Telegrafi/