LAJMI I FUNDIT:

Sa është pasuria e Trepçës?

Sa është pasuria e Trepçës?

Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”. I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potencial material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë.

Ajo çka mund të thuhet për vlerën e këtij kombinati, sipas ish udhëheqësve të kombinatit Trepça dhe njohës të kësaj fushe është se ky kombinat ka rezerva të mëdha të mineraleve, plumbit, zinkut, argjendit dhe arit.

Ish-drejtori i Trepçës, Burhan Kavaja në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se nuk janë bërë hulumtime të detajizuara dhe se praktikisht është shumë vështirë të dihet vlera reale.


Siç thekson ai, çdo muaj kur të nxirren dhe shfrytëzohen sasitë e mineraleve, zbulohen të tjera të reja. “Në vitin 1992 kemi bërë një vlerësim për të gjithë resurset e Kosovës ka qenë 505 miliardë, pjesa kryesore e tyre kanë qenë thëngjilli, kaustobiolidet, atëherë pat mbetur që Trepça në atë kohë potencialin e material e ka pasur 85 miliardë dollarë. Mirëpo, tash nuk mund të themi se edhe kohën kur e kanë shfrytëzuar serbët edhe kohën kur e kemi shfrytëzuar ne nuk janë bërë kurrfarë kërkime të cilat kishin me qenë të verifikuara dhe të kategorizuara”, shprehet Kavaja.

Për vlerën reale të kombinatit Trepça, thekson Kavaja, kërkohen hulumtime, incizimet, si dhe shpimet e nevojshme për të bërë verifikimin dhe kategorizimin e rezervave.

Por, ajo çka është reale, shton Kavaja, është se në dhjetë vjetët e ardhshme Trepça me potencialin e vet mund të shfrytëzohet në mënyrë racionale të prodhohet metali dhe të përpunohet.

Ish-menaxheri i Trepçës, Ferat Shala thekson se për çështjen e pasurisë së Trepçës, para se të jepen shifra, duhet të kryhet një studim i fizibilitieti në baza shkencore dhe logjikën ekonomike. “Pasuria është e madhe. Rezervat minerare janë të konsiderueshme, jemi realisht fuqi rajonale në fushën e plumbit, zinkut, arit dhe argjendit. Dhe duke llogaritur që në rajonin e Ballkanit dhe Evropën Juglindore askush nuk ka rezerva më të mëdha dhe duke pasur parasysh pozitën gjeografike që ka Kosova për ne janë kapital i një rëndësie të madhe”, shton Shala.

Ndërkohë, Halil Qela, njohës i kësaj fushe, thotë se problemi kryesor është se Kosovës i mungon ligji për standardizimin e rezervave e që sipas tij, është kushti kryesor që do të tregonte se cila është sasia e rezervave minerale që mund të vlerësohen në bazë çmimeve aktuale që janë në berzë. “Ne sot po flasim diku 58 milion tone xehe, por po them që mund të jenë edhe dhjetëra miliona të tjera që gjinden në këtë brezë metalogjenik dhe nuk janë të studiuara ende në detaje që kanë një vlerë e që me standardet e sotme moderne. Ato mund të jenë një kategori që mund të shfrytëzohet edhe mund të jenë një kategori që për teknologjinë e sotme në botë nuk mund të shfrytëzohen”, shton Qela

Përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, kombinati Trepça ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e 80-a, me mbi 21 mijë punëtorë.

Çështja e Trepçës është aktualizuar së fundi kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që gjiganti metalurgjik “Trepça”, i cili aktualisht është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të kthehet në pronësi të shtetit.

Por, menjëherë pas këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës e kishe hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë se këtij kombinati.

Më pas kishin pasuar protestat e mijëra qytetarëve të cilin kërkonin nga kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të nxjerr një ligj, me të cilin Kuvendi i Kosovës, do ta rregullonte statusin e kombinatin metalurgjik, Trepça, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje të veçantë publike. /Rel/Telegrafi/