LAJMI I FUNDIT:

Tregjet mund t’i rrokë kolapsi

Tregjet mund t’i rrokë kolapsi

Pavarësisht arritjeve të shënuara gjatë muajit Janar, tregjet në zhvillim janë vënë sërish në qendër të kritikave të analistëve, të cilët parashikojnë një kolaps total.

Një krizë e përgjithshme në këto vende mund të fillojë që prej këtij viti, shprehen analistët, duke fajësuar për një gjë të tillë rënien e likuiditetit të dollarit amerikan si dhe rënien e çmimeve të lëndëve të para. Këto projeksione qëndrojnë në një kontradiktë të hapur në raport me performancën e muajve të fundit të këtyre vendeve. Muajin e shkuar indeksi i tregjeve në zhvillim u rrit me 3 për qind.

Ngadalësimi i likuiditetit të dollarit amerikan përkthehet në pamundësinë e këtyre tregjeve për të financuar veten e tyre në mënyrë efikase. Ndërkohë, instituti i financave ndërkombëtare ka projektuar një rënie totale të hyrjes së kapitalit në këto vende, për shkak të mundësisë së rritjeve të normave të interesit nga ana e rezervës federale.


Ndërkohë që një pjesë e madhe e tregjeve në zhvillim, në pamje të parë duket sikur kanë forcuar pozitat e tyre makroekonomike, duke përfituar nga rënia e çmimeve të naftës, analistët parashikojnë se frekuenca e rreziqeve që kërcënojnë këto ekonomi është në rritje.

Rënia domethënëse e çmimit të arit të zi dhe atyre të metaleve në industri pritet të përshpejtojnë dobësitë strukturore brenda tregjeve në zhvillim, sidomos për vendet të cilat eksportojnë lëndët e para.

Ndërkohë që vende si Venezuela dhe Rusia janë përballë rreziqeve parësore për shkak të uljes së të ardhurave nga eksportet, edhe vendet eksportuese duket se qëndrojnë nën një kërcënim të qëndrueshëm. Turqia mbetet shembulli më i mirë i këtij rreziku, e cila edhe pse përfiton nga çmimet e ulta të naftës, mbetet tërësisht e varur nga dollari amerikan. /Telegrafi/